Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Kinë në administratën e re


Ndërsa bota përgatitet për ndryshimin e administratës në Shtetet e Bashkuara, një nga vendet që po i ndjek zhvillimet me interes është Kina. Njerëzit në Kinë, ashtu si edhe shumica e amerikanëve shpresojnë që zgjedhja e zotit Obama do të sjellë ndryshime pozitive, veçanërisht për marrëdhëniet e vendit të tyre me Shtetet e Bashkuara.

Një mbrëmje e organizuar në Pekin nga ambasada amerikane për zgjedhjet presidenciale, jo vetëm që i dha kinezëve shansin e rrallë për të votuar. Ishte edhe një shans i mirë për foto.

Rreth tre të katërtat e afro 300 votave iu dhanë presidentit të zgjedhur Barak Obama.

Studentja 21 vjeçare Wang Dian thotë se shpreson që presidenti i ri amerikan të ketë një politikë miqësore ndaj Kinës.

“Mendoj se pas kaq vitesh, ai duhet ta kuptojë rëndësinë e marrëdhënieve të mira dhe lidhjeve tregëtare me Kinën. Dhe shpresoj që ai të mund të ndihmojë për nxjerrjen e Shteteve të Bashkuara nga kriza financiare, gjë që do të ishte pozitive për gjithë ekonominë botërore”.Një student tjetër, 23 vjeçari Xu Zhen, ka një shqetësim më konkret.

“Shpresoj që të jetë më e lehtë që studentët të marrin viza për të studiuar në Shtetet e Bashkuara”.

Qeveria kineze e përshëndeti fitoren e zotit Obama. Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Qin Gang paralajmëroi gjithashtu administratën e re amerikane që të trajtojë siç duhet çështje të rëndësishme.

“Qeveria kineze do që të shtohet mirëkuptimi reciprok, besimi dhe bashkëpunimi në mënyrë që të trajtohen çështje delikate ashtu siç duhet dhe që marrëdhëniet kinezo-amerikane të zhvillohen më tej”.

Ndërsa Kina dhe Shtetet e Bashkuara shënojnë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike këtë vit, një nga çështjet më delikate mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ka qenë ajo e Taivanit.

Kina e konsideron Taivanin pjesë të territorit të saj dhe është zotuar të përdorë forcën, nëse është e nevojshme, nëqoftëse ai shpall pavarësinë. Megjithëse Uashingtoni që në vitin 1979 e njohu Kinën, sipas ligjit, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ta ndihmojnë Taivanin të mbrohet.

Shi Yinhong, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Renmin të Pekinit, thotë se zoti Obama do të përballet edhe me çështje të tjera kinezo-amerikane.

“Meqenëse marrëdhëniet mes Kinës dhe Taivanit janë përmirësuar, ky i fundit nuk do të jetë çështja më e madhe apo më e rëndësishme mes Shteteve të Bashkuara. Mosmarrëveshjet për tregëtinë do të intensifikohen më shumë. Deri tani nuk është gjetur një zgjidhje e përshtatshme për mosmarrëveshjet e mëdha për konfliktet për tregëtinë. Po ashtu do të ketë mosmarrëveshje për të drejtat e njeriut, Tibetin dhe mjedisin”.

Të drejtat e njeriut dhe demokracia janë dy çështje që Uashingtoni i shtron shpesh me Pekinin. Studiuesi i Akademisë kineze të shkencave shoqërore Tao Wezhao thotë se Kina po i hedh shumë ngadalë hapat drejt demokracisë. “Ten Ciaopin ka parashikuar që ndoshta në vitin 2050 do të kemi zgjedhje, por nuk jemi të sigurt që do të ndodhë deri atëherë”.

Tao ka besim se Kina me kalimin e kohës do të mbajë zgjedhjet e veta kombëtare. Por askush nuk parashikon që një ndryshim i tillë radikal të ndodhë së shpejti, megjithëse disa njerëz provuan përvojën e hedhjes së votës duke festuar për ndryshimin e premtuar nga presidenti i ri amerikan. //rd//

XS
SM
MD
LG