Lidhje

Zgjedhja e Barak Obamës entuziazmon imigrantët në SHBA


Demografët thonë se nga viti 2042 më shumë se gjysma e amerikanëve do të jenë me prejardhje me ngjyrë, kryesisht latino, aziatikë apo afrikanë. Inagurimi i Barak Obamës, djali i një babai kenian dhe i një nëne të bardhë amerikane do të jetë shenja më dramatike për rritjen kulturore dhe diversitetin etnik të vendit. Askund nuk është ky fakt më i dukshëm sesa në Nju Jork, një qytet emigrantësh. Ne do t’ju njohim tani me një shkollë në lagjen Kuins dhe me shpresat e reja që zgjedhja e zotit Obama ka sjellë për nxënësit e saj.

Klasa e Xhuli Men në shkollën e mesme Newcomers po luan skena nga autobiografia e një djali, rritur nën aparteidin e Afrikës së Jugut. Kjo shkollë publike në Kuins të Nju Jorkut, është njëra nga 12 të tilla të ngritura për imigrantët e rinj. Nxënësit këtu janë nga Kina, Nepali, Bangladesh, Kolumbia, Jemeni, Egjipti, Haiti dhe vende të tjera. Shumë prej tyre janë të gëzuar për fitoren e zotit Obama si dhe për domethënien e kësaj ngjarjeje në jetën e tyre.

“Nuk do të thosha më të çuditshmet, por ndër zgjedhjet më historike në Amerikë,” thotë një djalë me origjinë nga Bangladeshi.

"Nëse një afrikano-amerikan bëhet president, kjo ndryshon historinë," thotë një djalë imigrant nga Kina.

“Si njeri me ngjyrë mund të kem më shumë shanse për të qënë një njeri i rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara,” thotë ky djalë me origjinë nga Haiti.

Pak ndërtesa larg nga Kunsi, Norah Chaves me origjinë kolumbiane punon me organizatën Make the Road, një grup që ndihmon imigrantët latinoamerikanë.

Ajo ka dy fëmijë dhe thotë se kjo është arsyeja që zgjedhja e zotit Obama ishte kaq e rëndësishme për të.

"Vendosa të qëndroj në Shtetet e Bashkuara pasi ai fitoi. Kisha rezerva për çfarë mund të ndodhte. Fëmijët e mi kanë lindur këtu, janë qytetarë amerikanë por janë edhe latino."

Tani, thotë Chaves, ajo ndjehet shumë ndryshe.

“Imigrantët kanë një shans për të ndërtuar vërtet Amerikën dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë në këtë vend.”

“Me thënë të drejtën ne jemi vend imigrantësh. Pra nuk jemi indianë, kështu që të gjithë janë këtu imigrantë”.

Në Bruklin, Mohammad Razvi drejton një organizatë që u shërben imigrantëve nga Azia Jugore. Lindur në Pakistan, ai po rrit fëmijët e tij këtu në Shtetet e Bashkuara.

“Kam pesë fëmijë dhe ua kam shpjeguar – shikoni çfarë ndryshimi i madh. Tani Amerika është ajo që duhet të ishte. Është një ndjenjë e shkëlqyer kur mendon se një ditë edhe ata mund të zgjidhen president.”

Vetëm disa nga nxënësit në shkollën Newcomers nuk janë ende qytetarë por ata thonë se zgjedhja e Obamës ka të njëjtin kuptim për ta.

“Ai po i heq paratë nga lufta dhe po i vë në arsim,” thotë një vajzë me origjinë kineze.

“Këto zgjedhje ishin për të gjithë, jo vetëm për të bardhët apo afrikano-amerikanët por edhe për imigrantët.”

“Kur Obama thotë nuk jemi shtet i kuq apo blu, por jemi Shtetet e Bashkuara – më bën të ndjehem shumë e inkurajuar. Dhe mendoj se ai është në gjendje të na bashkojë të gjithëve”.

Si president, Barak Obama do të jetë i pari për shumë gjëra: i pari president dyracor, i pari nga një prind i huaj jashtë ishujve britanikë apo Kanadaja dhe i pari me prejardhje afrikane dhe myslimane. Dhe për shumë imigrantë, ai do të jetë gjithashtu i pari president amerikanë me një histori ndryshe nga e tyrja. //ad//

XS
SM
MD
LG