Lidhje

Bush: Largohem nga Shtëpia e Bardhë pa hidhërim


Ish presidenti Xhorxh Bush tha pas kthimit në qytetin Midlend të Teksasit se ai u largua nga Shtëpia e Bardhë pa hidhërim dhe se kthimi në shtëpinë e tij është një moment i bukur.

Zoti Bush dhe zonja e tij ishin të ftuarit e nderit në një ceremoni mikpritëse të zhvilluar në qytetin Midlend pasi u larguan nga Uashingtoni pas ceremonisë së inaugurimit të presidentit Barak Obama.

Zoti Bush u tha gazetarëve duke qeshur se objektivat e tij të reja shtëpiake përfshijnë tanimë punë si korrja e barit të shtëpisë së tij. Por duke folur me nota më serioze ai tha se ka në plan të shkruajë një libër mbi tetë vjetët e mandatit të tij.

Ish presidenti i ka lënë një sërë problemesh pasardhësit të tij, përfshirë dy luftra dhe një ekonomi në krizë.

Sipas traditës zoti Bush i la një shënim presidentit Obama në sirtarin e një tavoline në Zyrën Ovale. Një zëdhënëse e zotit Bush tha se në këtë shënim shprehen urime për zotin Obama, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e tij. //ii

XS
SM
MD
LG