Lidhje

Hillari Klinton: Irani ka para vetes mundësi reale për bisedime


Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha dje se Irani ka përpara vetes një mundësi reale për të biseduar me Shtetet e Bashkuara dhe bashkësinë ndërkombëtare. Ajo shtoi se gjashtë fuqitë që po përpiqen të negociojnë mbylljen e programit iranian të pasurimit të uraniumit do të takohen javën e ardhshme.

Zonja Klinton përsëriti komentet e bëra nga presidenti Obama i cili ka thënë se administrata e tij është e gatshme për dialog të drejtpërdrejtë me Iranin, por ajo sugjeroi se Tehrani mund të hedhë gurin e parë.

Gjatë një bisede jozyrtare me gazetarët në Departamentin e Shtetit, zonja Klinton tha se ekipi Obama po rishqyrton në shkallë të gjerë politikat e administratës Bush mbi Iranin të cilat ishin kufizuar vetëm tek bisedimet shumëpalëshe gjatë tetë vjetëve të fundit. Ajo qartësoi se mund të jetë vetë Irani ai që do të ndikojë mbi rezultatin e rishikimit të politikave amerikane.

"Iranianët kanë para vetes një mundësi të qartë, siç tha dhe presidenti Obama në intervistën me televizionin Al-Arabija, që të tregojë një farë gatishmërie për t’u angazhuar realisht me bashkësinë ndërkombëtare. Nëse dora e tyre do të bëhet më pak e shtrënguar për t’u hapur, kjo do të varet prej tyre”.

Sekretarja Klinton tha se grupi i 5+1-shit, pesë Anëtarët e Përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermania do të takohen përsëri javën e ardhshme për të diskutuar mbi negociatat me Iranin për programin e tij bërthamor. Ky do të jetë takimi i parë pas inaugurimit të presidentit Obama i grupit të gjashtë vendeve. Takimi do të zhvillohet në rang drejtorësh në Gjermani dhe do të jetë një element diplomatik që administrata Obama e trashëgon nga presidenti Bush dhe që do të vazhdojë të përdoret.

Zonja Klinton tha se edhe elemente të tjera të politikave të jashtme të përdorura nga zoti Bush do të vazhdojnë të përdoren megjithë zotimin e presidentit Obama për ndryshim. Ajo tha se bisedimet 6 palëshe me Korenë e Veriut të propozuara nga Kina janë një forum tjetër që administrata Obama vlerëson pozitivisht.

"Besoj se bisedimet gjashtë palëshe janë të rëndësishme. Ato kanë luajtur një rol pozitiv jo vetëm në bisedimet mes gjashtë vendeve mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut por edhe në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Ne do të vazhdojmë të ndjekim hapa që janë të efektshme”.

Sekretarja e re e Shtetit tha se ndryshimet e mundshme në politikat amerikane ndaj Lindjes së Mesme mund të ndodhin pas kthimit të të dërguarit special amerikan Xhorxh Miçëll nga vizita e tij në rajon. Por ajo tha se arritja e një armpushimi të qëndrueshëm mes Izraelit dhe Hamasit dhe dhënia e ndihmës humanitare në Gazë do të jenë objektivat afatshkurtra të administratës. //ek//

XS
SM
MD
LG