Lidhje

SHBA: Mbizotërojnë lajmet e këqia ekonomike


Presidenti Barak Obama thotë se është i alarmuar nga fakti se me sa shpejtësi është keqësuar ekonomia amerikane.

Zoti Obama dha dje disa intervista për rrjetet televizive amerikane. Ai i bëri reklamë planit të tij për stimulimin ekonomik dhe tha se ajo që ai do të lerë pas si president do të varet nga fakti se sa i aftë do të jetë për ta shëruar ekonominë.

Ai tha se ka vend për përmirësimin e planit me ndihmën si të republikanëve edhe të demokratëve në Kongres por shtoi se do të ishte me dobi nëse do t’u garantohej sigurim shëndetësor të papunëve, nëse do të investohej për t’i izoluar më mirë shtëpitë për të kursyer energji dhe nëse do të krijoheshin vende pune që marrin parasysh ruajtjen e mjedisit.

Plani, tha zoti Obama, do të sjellë një lehtësim afat-shkurtër si dhe përfitime afatgjata.

LAJMET E KËQIA EKONOMIKE VAZHDOJNË

Në Shtetet e Bashkuara, industria e pronave të patundëshme dha dje shenja të vogla për lajme të mira por lajmet nga sektorët e tjerë vazhduan të jenë të këqia ndërkohë që politikanët debatojnë se ç’rrugë duhet zgjedhur për rigjallërimin e ekonomisë më të madhe të botës.

Shoqata Kombëtare e Pronave të Patundëshme tha se rëniet e mëdha në çmimet e shtëpive kanë shtyrë më tepër blerës të hyjnë në treg. Indeksi i shitjeve të shtëpive u rrit 6,5 % në muajin dhjetor.

Ekspertët tërheqin vemendjen se treguesit e tjerë të pronave të patundëshme vazhdojnë të jenë negativë.

Lajmet nga tregjet e tjera ishin edhe dje të zymta. Në Japoni, Toyota njoftoi një rënie prej 32 % në shitjet e makinave për janarin ndërsa shitjet e firmës General Motors ranë gati 50%.

Senatorët votuan mbrëmë rreth amendamenteve ndaj planit të Presidentit Barak Obama për stimulimin e ekonomisë, një paketë me vlerë prej afro 900 miliard dollarësh. Zoti Obama u bëri thirrje ligjvënësve të veprojnë me të njëjtin sens urgjence që shumica e amerikanëve ndjejnë çdo ditë. //ii

XS
SM
MD
LG