Lidhje

Presidenti Obama fillon fushatën për të siguruar mbështetje për paketën e stimujve të ekonomisë


Presidenti amerikan Barak Obama do t’i drejtohet këtë javë publikut amerikan për paketën e stimujve, përmes një fjalimi drejtuar vendit. Sot ai shkon në Elkhart të shtetit të Indianës, ku do të flasë në një takim në qendrën e qytetit. Po sot, Presidenti kthehet në Shtëpinë e Bardhë, ku do të mbajë një konferencë shtypi, e cila do të transmetohet direkt nga kanalet kryesore televizive, e para e këtij lloji që nga fillimi i detyrës në janar. Ndërkohë, demokratët po bëjnë thirrje për miratimin sa më shpejt të paketës, ndërsa ekonomia amerikane vazhdon të tkurret dhe të humbë vende të reja pune.

Senati pritet të miratojë këtë javë variantin e vet të paketës së stimujve, që synon krijimin, ose shpëtimin e 3-4 milionë vendeve të punës. Presidenti Barak Obama e ka bërë përparësi të tij këtë javë mbështetjen e planit, duke shkuar në disa takime të tipit të fushatës në shtetet Indiana dhe Florida.

Një nga këshilltarët kryesorë ekonomikë të Presidentit, Lawrence Summers, dha dje një intervistë për televizionin FOX, ku e përshkroi me nota të zymta gjendjen e ekonomisë amerikane.

"Ne duhet ta ndihmojmë ekonominë amerikane. Projektligji në Senat, ai në Dhomën e Përfaqësuesve, janë 90 për qind të njëllojtë. Ne duhet t’i sheshojmë ndryshimet dhe të përpilojmë projektligjin më të mirë që duhet dhe ta miratojmë atë sa më shpjet që të jetë e mundur për të mos lejuar përkeqësimin e mëtejshëm të ekonomisë", - tha zoti Samërs.

Ndryshimet më të mëdha mes të dy ligjeve kanë të bëjnë me shkurtimin e taksave, varianti i Senatit ka caktuar rreth 100 miliardë dollarë më tepër për taksat dhe ndihmë për qeveritë e shteteve të veçanta.

Por mbështetja e republikanëve për secilin nga variantet mbetet e vogël. Republikanët po kërkojnë një paketë shumë më të vogël, e cila përqëndrohet më tepër tek shkurtimi i taksave dhe shpenzimet për infrastrukturën.

Senatori republikan Xhon Mekein, ish-kandidat presidencial, tha në një intervistë për rrjetin televiziv CBS, se ia nuk do ta mbështesë paketën e stimujve.

"Mendoj se kjo mund të përshkruhet vetëm si një vjedhje e përfitimeve. Ne do të kemi një defiçit prej 1,2 trilionë dollarësh dhe ky është vetëm fillimi. Do të akumulojmë kështu borxhin më të madh në historinë e këtij vendi, pra do t’u kërkojmë fëmijëve, apo nipërve tanë ta paguajnë atë."

Zoti Mekein tha se masat që kërkohet të merren janë shumë më të mëdha se ato që u morën gjatë Depresionit të Madh.

Por ekonomisti Summers në një tjetër intervistë televizive në rrjetin televiziv ABC, i kundërshtoi me forcë këto krahasime historike.

"Ata që drejtuan vendin gjatë 8 viteve të fundit, që në fakt ishin vitet që na sollën në gjendjen që ndodhemi tani, kur kemi trashëguar një borxh prej triliona dollarësh, një ekonomi, e cila po përkeqësohet më shpejt se në çdo kohë tjetër në 50 vjetët e fundit, nuk duket se janë në një pozicion të fortë për të dhënë leksione për mësimet e historisë. Na duhet një qëndrim i ndryshëm nga ai që na solli deri në këtë pikë," - tha zoti Summers.

Zoti Summers tha se pikërisht masa të tilla do të sigurojë paketa e stimujve e Presidentit. Ai tha se raporti i Departamentit të Punës të premten se vetëm gjatë muajit janar kanë humbur 600 mijë vende pune, është një provë, se nevojitet një ndërhyrje e menjëhershme.//lk


XS
SM
MD
LG