Lidhje

Presidenti Obama bëri të njohur një plan prej 75 miliardë dollarësh


Presidenti amerikan Barak Obama bëri të njohur një plan prej 75 miliardë dollarësh i cili synon të ndihmojë rreth nëntë milion amerikanë të mos humbasin shtëpitë e tyre.

Zoti Obama e bëri të njohur planin sot në Arizona, shtet i cili është goditur rëndë nga kriza e shtëpive.

Plani do të përqendrohet tek ristrukturimi apo rifinancimi i kredive për t’i bërë ato më të përballueshme për pronarët e shtëpive, që janë në vështirësi. Në disa raste, qeveria do të japë ndihmë për kreditë e shtëpive që janë modifikuar për të shmangur marrjen e shtëpive nga banka.

Presidenti Obama thotë se plani i tij do t’i ndihmojë pronarët e shtëpive që për momentin nuk mund të rifinancojnë për shkak të rënies së çmimit të shtëpive të tyre. Do të ndihmojë në modifikimin e kredive të familjeve që kanë interes të ndryshueshëm dhe që nuk mund t’i përballojnë. Dhe do të ndihmojë edhe ata pronarë shtëpiash që janë të rrezikuar pavarësisht se deri tani i kanë paguar kreditë e tyre.

Zoti Obama theksoi se plani nuk do të ndihmojë spekullatorët, huadhënësit e pandershëm, apo huamarrësit që kanë blerë shtëpia që e dinin se nuk mund t’i përballonin. (ze)

XS
SM
MD
LG