Lidhje

E ardhmja e të dyshuarve për terrorizëm nën administratën Obama


Një person i akuzuar për terrorizëm dhe i arrestuar në vitin 2001 pritet të transferohet së shpejti nga një burg ushtarak amerikan në Karolinën e Jugut tek një burg federal në shtetin Ilinoi. Ky transferim pritet të bëhet pasi administrata e presidentit Obama e kaloi çështjen e Ali al-Marrit në një gjykatë civile e cila ngriti akuzat kundër këtij shtetasi të Katarit. Kjo masë ligjore, me sa duket, hedh poshtë politikën e administratës së presidentit Bush mbi ndalimin e të dyshuarve për terrorizëm, ndërkohë që Gjykata e Lartë do të shqyrtojë në prill ligjshmërinë e mbajtjes së al-Marrit për pesë vjet në burg.

Qeveria amerikane e cilësoi al-Marrin luftëtar armik në vitin 2003 dhe e mbajti atë pa ngritur akuza në një burg ushtarak në Karolinën e Jugut për më shumë se pesë vjet. Administrata e presidentit Bush e akuzoi al-Marrin si agjent i fshehtë i al-Kaidës në kohën e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Xhon Ashkroft ishte në atë kohë prokurori i përgjithshëm.

“Al-Marri është dërguar në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar individë të tjerë të al-Kaidës të cilët do të vinin këtu për të kryer sulme të tjera.”

Al-Marri ishte shtetasi i vetëm i huaj që mbahej në Shtetet e Bashkuara si luftëtar armik. Dhe në vitin 2007, një gjykatë federale apeli vendosi se mbajtja e al-Marrit ishte e paligjshme dhe shkelte kushtetutën duke i hequr atij të drejtën për ta sfiduar qeverinë në gjykatë. Xhonatan Hasec është avokati mbrojtës i al-Marrit.

“Gjykata po jep një paralajmërim se nëse kjo mund t’i bëhet zotit al-Marri, atëherë kjo mund t’i ndodhë kujtdo tjetër.”

Pas sulmeve të vitit 2001, administrata e presidentit Bush tha se kishte autoritetin për t’i ndaluar pa afat personat e dyshuar si terroristë që paraqesin rrezik të menjëhershëm. Ali Al-Marri, nga Katari, kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara ligjërisht dhe studionte në Universitetin Peoria të Ilinoit, kur u arrestua për mashtrim me karta krediti në dhjetor 2001.

Hetuesit thanë se kishin zbuluar se ai kishte lidhje me al-Kaidën, duke përfshirë akuza se ai vetë kishte takuar Osama Bin Ladenin dhe planifikuesin e sulmeve të 2001-it, Kalid Sheik Muhamed. Stefen Salcburg është profesor juridiku në Universitetin Xhorxh Uashington.

“Nga pikëpamja e tyre, ata që punojnë me al-Kaidën dhe që mund të jenë agjentë të fshehtë në Shtetet e Bashkuara paraqesin rrezik që nuk mund të trajtohet si duhet përmes procedurave normale penale.”

Vitin e kaluar, Gjykata e Lartë pranoi të shqyrtonte ankesën e al-Marrit se ishte jokushtetuese që ai të mbahej në burg pa afat. Por para se gjykatësit të kishin rastin për ta shqyrtuar çështjen e tij, presidenti Barak Obama urdhëroi që çështja e al-Marrit t’i kalonte një gjykate civile, e cila e ngriti dy akuza të lidhura me terrorizëm kundër tij.

Ekspertët ligjorë thonë se kjo masë tregon se administrata e presidentit Obama planifikon t’i trajtojë ndryshe ndalimet e të dyshuarve për terrorizëm. Ilja Shapiro është eksperte e Studimeve Kushtetuese në Instritutin Cato në Uashington.

“Në fund të fundit, nuk është mirë që Gjyakata e Lartë çdo vit të shqyrtojë çështje ligjore delikate të lidhura me luftën kundër terrorizmit. Është më mirë që me këto të merren departamentet e sigurisë kombëtare dhe degët politike të qeverisë.”

Departamenti i Drejtësisë i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të heqë dorë nga çështja e al-Marrit. Megjithatë, avokati i të dyshuarit, do që gjykatësit të vendosin nëse një president ka autoritetin t’i etiketojë njerëzit në Shtetet e Bashkuara si luftëtarë armiq dhe t’i mbajë në burg pa afat. //bsa//

XS
SM
MD
LG