Lidhje

Hamarberg: Të drejtat e njeriut jo peng mospajtimesh në Kosovë


Komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Tomas Hamarberg tha të premten në Prishtinë se këto të drejta nuk duhet të jenë peng i tensioneve dhe mospajtimeve politike.

Ai i bëri këto komente në fund të një vizite faktmbledhëse në Kosovë, gjetjet e së cilës do të jenë pjesë e një raporti të posaçëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në vend.

Zoti Hamarberg tha se është e natyrshme që zhvillimet politike ushtrojnë ndikim në fushën e të drejtave të njeriut, po çështja është se këto të drejta duhet të trajtohen individualisht dhe jashtë këtyre zhvillimeve. Kosova, tha ai, ka kuadër të mirë ligjor dhe një plan veprimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por zbatimi i tyre është çështje me rëndësi thelbësore.

Ai i bëri thirrje parlamentit të Kosovës që t’u jap fund zvarritjeve të procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

“Një avokat i mirëfilltë i popullit është me rëndësi thelbësore për shoqërinë në tërësi dhe duhet të jetë i lirë për të kritikuar edhe ata që janë në pushtet," tha ai duke nënvizuar se në raportin e tij do të kërkojë që edhe institucionet ndërkombëtare të lejojnë krijimin e një mekanizmi që do të kontrollojë veprimet e tyre në Kosovë dhe hapat që ndërmarrin ata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Komisionari Hamarberg tha se një çështje që është zvarritur tej mase dhe që ngërthen në vete edhe komunitetin ndërkombëtarë është ajo e rreth 2 mijë personave të zhdukur, fati i të cilëve është ende i panjohur. Kësaj çështjeje duhet t’i jepet përparësi, tha ai.

“Familjet janë në pikëllim dhe vuajnë për faktin se nuk dinë asgjë për të afërmit e tyre. Kjo ndikon edhe në çështjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë dhe kjo gjendje është e papranueshme”, tha ai.

Zoti Hamarberg veçoi gjendjen e rëndë në kampet e pjesëtarëve të komunitetit romë në veriun e Mitrovicës të cilët jetojnë në një zone me shkallë të lartë të ndotjes me plumb.

“Jam i bindur se aty përballemi me një katastrofë humanitare shume serioze” tha ai duke nënvizuar se “është skandaloze që edhe pese vjet pasi që është dhënë alarmi për këtë situatë, nuk është bërë pothuajse asgjë që njerëzit të largohen nga ajo zonë”. Ai tha se dihet që ka paqartësi rreth asaj se kush është përgjegjës, por të gjithë faktorët duhet të lënë anash mospajtimet politike në funksion të zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Zoti Hamerberg tërhoqi vërejtjen edhe për gjendjen jo të mirë ekonomike në vend dhe për këtë arsye tha ai, do të kërkojë nga qeveritë e vendeve perëndimore që të mos nguten me kthimin e refugjatëve nga Kosova, përveç rasteve të kthimit vullnetar.

Parandalimi i korrupsionit, lufta kundër dhunës familjare, respektimi i pakicave dhe personave me aftësi të kufizuara janë disa nga sfidat që komisioneri i Këshillit të Evropës pritet t’i radhisë në raportin e tij mbi të drejtat e njeriut në Kosovë. //bsa//

XS
SM
MD
LG