Lidhje

Presidenti Sejdiu komenton akuzat për burgje sekrete të UÇK-së


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha sot se lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte e drejtë, ndërsa pohimet për krime të saj janë spekulime pa fakte.

Ai i bëri këto komente pas shkrimeve të shërbimit botëror të BBC-së dhe Rrjetit Ballkanik për gazetarinë hulumtuese sipas të cilave Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka shkelur të drejtat e civilëve në Kosovë, ka keqtrajtuar dhe në disa raste edhe ka vrarë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme.

Hetimet e gazetarëve përfshinin edhe pretendimet se disa prej personave të mbajtur në disa burgje të ish Ushtrisë Çlirimtare në Shqipëri, ishin vrarë për t'u marrë organet, pohim i ngritur më herët edhe nga ish kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Carla del Ponte në librin e saj Gjuetia.

Presidenti Sejdiu tha se pohimet e paargumentuara janë të papranueshme.

”Dua të them atë që e ka thënë populli i Kosovës gjithmonë, se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë dhe luftë për ekzistencën e qenies sonë. Dhe absolutisht, çdo gjë tjetër të paargumentuar e marr jashtë reales. Latinët e kanë pasur një shprehje shumë të hershme ‘me sjell faktet atëherë del drejtësia’, prandaj nuk dua të merrem me kurrfarë spekulimesh”, tha presidenti Sejdiu.

Udhëheqës politikë të ish Ushtrisë Çlirimtare kanë hedhur poshtë pohimet për ekzistencë të kampeve të kësaj ushtrie, por kanë theksuar se ka mundësi që individë të caktuar të kenë bërë gabime gjatë luftës. Ata shprehën gatishmërinë për të mbështetur këdo që dëshiron të kryejë hetime të paanshme rreth kësaj çështjeje.

Në reagimet e nxitura nga shkrimet e fundit është ngritur shqetësimi se po bëhen përpjekjeve për të ndërhyrë në proceset politike në vend.

”Për ne është me rëndësi që kemi kapërcyer procese shumë të mëdha. Jemi përpara proceseve të mëdha. Kemi mbështetje të fuqishme ndërkombëtare të arsyeshme dhe me bazë dhe sigurisht dikujt mund t’i teket në forma të ndryshme që të krijojë dëme të veçanta për Kosovën. Unë mendoj se nuk do t’ia dalë”, tha presidenti Sejdiu.

Një numër organizatash ndërkombëtare kanë kërkuar hetime të paanshme lidhur me akuzat që i janë bërë ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Këshilli i Evropës ka caktuar zotin Dik Marti që të hulumtojë mbi vërtetësinë e tyre. //ii

XS
SM
MD
LG