Lidhje

Grevë urie e ish UÇK-së për të kërkuar kushte më të mira jetese


Në tendat e vendosura para ndërtesës së qeverisë, ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës janë hedhur në grevë urie për të kërkuar përmirësimin e kushteve të jetës së tyre. Xhevdet Qeriqi, udhëheqës i Këshillit Grevist, thotë se kërkesa themelore e ish ushtarëve të UÇK-së është respektimi i vlerave të luftës.

Si invalid i luftës, ai thotë se jeton me një ndihmë sociale prej 72 eurosh në muaj, ndihmë kjo shumë e vogël që i jepet atij dhe shokëve të tij. Ai thotë se veteranët dhe invalidët e luftës janë ndër kategoritë më të rrezikuara në Kosovë.

“Kërkesat tona janë: mbrojtja me ligj e këtyre kategorive dhe implementimi i tij në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes; ngritja e pensioneve për invalidët dhe familjarët e dëshmorëve; shërimi i invalidëve jashtë vendit; zgjidhja e banimit të të gjitha kategorive; punësimi i veteranëve ose përfshirja në asistencë sociale deri sa të punësohen; lirimi i të gjitha shërbimeve shëndetësore, i tatimit në pronë, doganave dhe të gjitha shërbimeve të dokumentacionit, lirimi nga rryma, uji, transporti etj; shkollimi pa pagesë i këtyre kategorive; pajisjet e invalidëve në gjendje të rëndë me mjete të nevojshme për lehtësimin e qarkullimit të tyre…”.

Ish pjesëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thonë se pa realizimin e të gjitha kërkesave, duke u nisur nga zbatimi i Ligjit për Vlerat e Luftës së UÇK-së, nuk do ta ndërpresin grevën.
Ligjit për statusin dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së zbatohet pjesërisht në Kosovë. Pas miratimit të tij në parlament në vitin 2006, ai u ndryshua në disa pjesë nga administrata e Kombeve të Bashkuara.

Ish pjesëtarët e UÇK-së kërkojnë zbatimin në tërësi të ligjit ashtu siç ishte miratuar fillimisht nga Parlamenti. Qeveria, thotë ndërkaq se ka filluar procesin e plotësimit të ligjit. Udhëheqësi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në zyrën e kryeministrit, Faik Fazliu, thotë se tërë procesi po zhvillohet në bashkëpunim me organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

“Deri më tani në Kosovë është zbatuar ligji ku familjet e dëshmorëve marrin 235 euro në muaj, e që është mbi pagën mesatare në Kosovë. Invalidët e luftës marrin duke filluar nga 70 euro që është shkalla ma e ultë e deri në 180 euro shkalla më e lartë, kështu që Qeveria është e angazhuar që ligji në të ardhmen të zbatohet në tërësi”.

Kërkesat e ish pjesëtarëve të UÇK -së janë mbështetur edhe nga organizatat humanitare në Kosovë të cilat kërkojnë trajtim më të mirë të veteranëve dhe kategorive tjera të dala nga lufta. (ze)

XS
SM
MD
LG