Lidhje

Pakistani dhe kushtet për ndihmat amerikane



Pakistani i tha senatorit amerikan Xhon Keri, që po viziton këtë vend, se Uashingtoni nuk duhet të vendosë kushte për paketën masive të ndihmave për Pakistanin. Kryeministri i vendit i bëri deklaratat ndërkohë që senatori Keri po bën thirrje për të trefishuar ndihmën joushtarake për Pakistanin dhe që presidenti Obama të zbatojë një strategji që përfshin si Pakistanin ashtu dhe Afganistanin. Ekspertët e Azisë Jugore janë të shqetësuar se Pakistani ka hyrë në garë me kohën ndërsa talebanët po e zgjerojnë kontrollin në provincat dhe zonat rurale pranë Islamabadit.

Militantët i vunë zjarrin rreth 10 kamionëve javën e kaluar në qytetin veriperëndimor të Peshavarit. Sulmi që përfshiu shkëmbime zjarri, u bë ndërkohë që autoritetet vendosën gjendjen e gatishmërisë së lartë në Islamabad, pas kërcënimit të talebanëve për të kryer dy sulme çdo javë.

Paqëndrueshmëria në Pakistan vazhdon, ndërsa administrata Obama përgatitet të shpenzojë miliarda dollarë në ndihma dhe trupa si dhe të shtojë përpjekjet diplomatike për të stabilizuar rajonin.

Por ambasadori i Pakistanit në Uashington, Husain Hakani thotë se duhet një plan pesë-vjeçar prej 30 miliardë dollarësh ndihma për Pakistanin dhe Afganistanin.

"U bë gabim në vitet 1950, 60 dhe 70 kur Shtetet e Bashkuara investuan në kapacitetin ushtarak të Pakistanit por jo në shoqërinë e vendit".

Ndërsa administrata e presidentit Obama kërkon më shumë përgjegjshmëri nga Pakistani, ka patur tensione gjatë javëve të fundit në bisedimet që përfshijnë përfaqësuesin e posaçëm Richard Holbrooke dhe ministrin e jashtëm të Pakistanit Shah Mehmood Kureshi.

"Ne mund të punojmë së bashku, vetëm nëse respektojmë dhe besojmë njëri-tjetrin".

Pakistani kundërshtoi publikisht sulmet me raketa të Shteteve të Bashkuara mbi objektivat e militantëve. Ndërkohë zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim rreth shërbimeve pakistaneze të zbulimit që tradicionalist kanë mbështetur grupet militante islamike në rajonet fisnore veriperëndimore.

Militantët pakistanezë, që kanë qenë aktivë kohët e fundit në tre nga katër provincat e vendit, kanë thënë se së shpejti do ta shtrijnë luftën e tyre në Islamabad. Disa ekspertë mendojnë se ata po përsërisin strategjinë që militantët talebanë kanë përdorur në Afganistan, ku kryengritësit vendorë marrin kontrollin në zonat ku mungon qeverisja.

Shuja Nawaz kryeson Këshillin e Atlantikut në Uashington.

"Ka një mungesë të kapacitetit administrativ për të përmbushur nevojat e popullatës lokale dhe kjo është arsyeja që i lejon talebanët të kenë ndikim".

Ndërsa sulmet e militantëve vazhdojnë, një raport i fundit nga dy senatorë amerikanë dhe ekspertë të tjerë në Uashington paralajmëron se Pakistani është në prag të kthimit në një shtet të dështuar.

Lisa Kërtis në Fondacionin Heritage në Washington DC thotë se Uashingtoni dhe Islamabadi duhet të bashkërendojnë pa vonesë veprimet.

"Ne duhet të shohim këtë lloj mobilizimi të ndodhë më mirë shpejt sesa vonë, ose do të fillojmë të shohim vendin të destabilizohet gjithnjë e më shumë e të kthehet praktikisht jashtë kontrollit".

Zoti Nawaz nuk është dakort.

"Nuk mendoj se është garë në kuptimin se në gjashtë muaj duhet ta zgjidhën e nëse jo, talebanët do të fitonin".

Pakistani dhe zyrtarët amerikanë gjatë ditëve të fundit kanë theksuar nevojën e besimit mes dy vendeve për të luftuar kërcënimin në rritje nga militantët.

Zonja Kërtis thotë se Islamabadi duhet të ndryshojë psikologjinë kombëtare për t’u bërë një partner i plotë në luftën kundër kryengritësve.

"Mendoj se zgjidhja e këtyre sfidave është në mendjen e çdo zyrtari amerikan. Pikë së pari, duhet të ndryshojmë psikologjinë e Pakistanit në mënyrë që ta shohë kërcënimin nga terrorizmi, dhe jo Indinë, si kërcënim ndaj ekzistencës së vendit. Dhe së dyti sa kohë do të na duhet për ta arritur këtë".

Analistët thonë se është e qartë se Islamabadi kërkon një angazhim afatgjatë të Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar Pakistanin në mënyrë që të elimonojë kërcënimet që vijnë nga rajoni për komunitetin ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG