Lidhje

Shtëpia e Bardhë nuk përjashton ndjekje penale për teknikat e CIAs


Presidenti Barak Obama po e lë të hapur mundësinë e ndjekjes penale të zyrtarëve të administratës së ish presidentit Bush të cilët miratuan metoda të ashpra të marrjes në pyetje të të burgosurve të dyshuar për terrorizëm pas sulmeve të 11 Shtatorit. Duke folur dje në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se është i shqetësuar që dëshmitë në Kongres në lidhje me këto politika mund të përçajnë rëndë Kongresin, por shtoi se do të mbështesë një hetim dypartiak. Detajet i sjell nga Uashingtoni, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sindi Sein.

Javën e kaluar në Uashington u ndez një debat i fortë pasi administrata e zotit Obama publikoi katër memorandume ligjore të cilët autorizonin metoda të marrjes në pyetje të të burgosurve. Presidenti Obama siguroi agjentët dhe hetuesit e CIAs se nuk do të ndiqeshin penalisht nëse kishin respektuar udhëzimet ligjore që u ishin dhënë nga Departamenti i Drejtësisë.

Që atëherë dy zyrtarë të administratës aktuale kanë thënë se Presidenti nuk donte që edhe hartuesit e këtyre metodave të shumëpërfolura, përfshirë edhe mbytjen e simuluar, të përballeshin me ndjekje penale. Por, i pyetur dje mbi të njëjtën çështje zoti Obama dha një tjetër përgjigje.

"Ky vendim do të merret nga Prokurori i Përgjithshëm bazuar mbi një sërë ligjesh dhe nuk dua ta paragjykoj se cila do të jetë kjo përgjigje”,
tha Presidenti.

Zoti Obama po përballet me një trysni të madhe që pas publikimit të dokumentave. Ish shefat e CIA-s dhe disa ligjvënës amerikanë kanë kritikuar zotin Obama duke thënë se bërja publike e kufizimeve të teknikave të marrjes në pyetje dobëson sigurinë kombëtare.

Ish nënpresidenti, Dik Çejni kritikoi fuqishëm presidentin Obama pasi ky i fundit ndaloi të ashtuquajturat “masa hetimore të veçanta” të përdorura nga administrata e presidentit Bush si dhe për premtimet mbi mbylljen e burgut të Guantanamos në Kubë.

Duke folur ditën e hënë në televizionin “Fox News”, zoti Çejni tha se administrata e presidentit Obama nuk ka publikuar dokumentat që tregojnë sesa të suksesshme kanë qënë këto metoda për marrjen e informacioneve të dobishme të zbulimit.

"Unë kam parë dhe lexuar raporte të veçanta që tregojnë qartë informacionet që kemi marrë gjatë marrjes në pyetje të këtyre individëve dhe sa të rëndësishme kanë qënë këto informacione për vendin”.

Zoti Çejni tha se i kishte kërkuar CIAs të deklasifikonte memorandumet e tjera në mënyrë që në vend të zhvillohet një “debat i sinqertë” për këtë çështje.

Ndërkaq, udhëheqës të disa organizatave të të drejtave civile dhe të njeriut si dhe ligjvënës demokratë po bëjnë thirrje për hetime të mëtejshme mbi politikat e presidentit Bush në lidhje me të burgosurit si dhe për përgjegjësit e hartimit të teknikave që mund të kenë shkuar në torturë.

Duket se presidenti Obama po ndjen trysninë e të dyja palëve politike. Ai tha dje se ka frikë që seancat dëgjimore në Kongres në lidhje me këtë çështje do ta përçanin edhe më shumë Kongresin.

"Shqetësohem se kjo çështje do të politizohet aq shumë sa do të pengonte punën tonë në operacionet e përditshme të sigurisë kombëtare”.

Presidenti tha se mund të mbështeste hetimet në Kongres, por vetëm nëse kjo do të bëhej nga njerëz të pavarur politikisht.

"Besoj se është me shumë rëndësi që amerikanët të ndjejnë se kjo nuk po bëhet për të fituar pikë politike, por për të nxjerrë mësime nga e kaluara dhe për të ecur përpara”.

Presidenti Obama la të kuptonte se preferenca e tij do të ishte të mos shpenzonte shumë kohë mbi këtë çështje delikate, duke thënë se beson që vendi do të ecë përpara dhe jo prapa. //ek//

XS
SM
MD
LG