Lidhje

Gripi  i derrit, shqetësim për epidemi botërore


Organizata Botërore e Shëndetësisë po shpreh shqetësim për një epidemi të mundëshme botërore të gripit të derrit ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara dhe në Meksikë po shtohet numri i viktimave të konfirmuara ndërsa në Kanada janë zbuluar raste të reja të sëmundjes. Administrata e Presidentit Obama ka shpallur një emergjencë shëndetësore dhe po mobilizon burimet në shkallë federale dhe shtetesh për të luftuar sëmundjen virale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur gripin e derrave një emergjencë të shëndetit publik që ka ngjallur shqetësim ndërkombëtar. Ndihmësdrejtori i Përgjithshëm i organizatës, Keixhi Fukuda i bëri komentet për gazetarët përmes një telekonference nga Gjeneva.

"U kemi kërkuar të gjitha vendeve që të shtojnë vëzhgimet dhe vigjilencën në mënyrë që të zbulojmë sa më shpejt se si mund të përhapet ose të mos përhapet ky virus."

Zoti Fukuda tha se viruset e gripit të derrit të zbuluar në Shtetet e Bashkuara dhe në Meksikë duken të ngjashëm megjithë faktin se simptomat e zbuluara në Meksikë kanë qenë shumë më të rënda se sa në Shtetet e Bashkuara. Ditët e fundit, Meksika ka regjistruar dhjetra vdekje nga kjo sëmundje që i ngjan gripit megjithëse nuk është e qartë nëse në të gjitha rastet fjala është për gripin e derrave.

Zoti Fukuda thotë se ky lloj i veçantë i virusit të derrit mund të bëhet më shumë ose më pak i rrezikshëm me kalimin e kohës.

"Viruset e gripit mund të ndryshojnë shumë lehtë nga njëri lloj në tjetrin. Prandaj, kur viruset ndryshojnë, ata mund të bëhen më të rrezikshëm për njerëzit, pra shkaktojnë sëmundje më të rënda. Por ato mund të ndryshojnë edhe në kahun tjetër, pra të shkaktojnë sëmundje më pak të rënda."

Pak çaste pas komenteve të tij, zyrtarët amerikanë shpallën një emergjencë të shëndetit publik në përgjigje të zbulimit të të paktën 20 rasteve me këtë sëmundje në 5 shtete të vendit. Zyrtarët e Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë se presin të zbulojnë edhe raste të tjera, ndoshta me simptoma më të rënda.

Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Sekretarja e Departamentit të Sigurimit të Vendit, Janet Napolitano tha se qeveria federale po mobilizohet për të luftuar këtë kërcënim shëndetësor, duke përfshirë masat për t’u dhënë shteteve miliona doza ilaçesh antivirale. Ajo i bëri thirrje publikut për ndihmë.

"Qeveria nuk mund ta zgjidhë këtë e vetme. Ne kemi nevojë për secilin në Shtetet e Bashkuara që të marrë mbi veten një farë përgjegjësie. Nëse je i sëmurë, qendro në shtëpi. Laj duart. Merr të gjitha masat e arsyeshme që do të na ndihmojnë të kufizojmë numrin e njerëzve që sëmuren."

Zoti Keixhi Fukuda i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë se nëse ka lajme të mira, kjo është për arësye se komuniteti ndërkombëtar është sot shumë më i përgatitur se sa në vitet e kaluara për të luftuar sëmundjet infektive në mënyrë të bashkërenduar.

"Unë besoj se bota është shumë më mirë e përgatitur se sa kurrë ndonjëherë për të zgjidhur këtë lloj situate. Në pesë vitet e kaluara vendet e ndryshme kanë punuar shumë për të vlerësuar kërcënimin e gripit. Ato kanë punuar shumë për t’u përgatitur ndaj një epidemie botërore dhe sot ne kemi mjete të reja, kemi mënyra të reja vëzhgimi, kemi një arsenal ilaçesh antivirale në rastin e një epidemie botërore."

Këto përgatitje ndërkombëtare po vihen tani në provë. Kanadaja u bë vendi i tretë që konfirmon raste të gripit të derrave – një numër njerëzish kanë shfaqur simptoma të lehta të sëmundjes në Nova Skotia dhe në Kolumbinë Britanike. Raste të tjera të mundshme janë duke u hetuar në Francë dhe në Zelandën e Re. //ii


XS
SM
MD
LG