Lidhje

Sulmohet një makinë e EULEX-it në veri të Mitrovicës


Një makinë e forcave policore të Bashkimit Evropian në Kosovë ka pësuar dëme nga pasojat e një sulmi në veriun e Mitrovicës të banuar me shumicë serbe. Zyrtarë të policisë thanë se një grup personash ende të paidentifikuar hodhi mbrëmë shishe me benzinë dhe gurë mbi një autokolonë të policisë së EULEX-it. Sulmi ka kaluar pa dëme në njerëz

Policia tha se është duke hetuar këtë ngjarje e cila është cilësuar si “sulm ndaj personave zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Policia e EULEX-it edhe sot ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë një grup prej rreth 200 pjesëtarësh të komunitetit serb që po kundërshtojnë synimet për kthimin e disa familjeve shqiptare në një lagje në veriun e Mitrovicës.

Tash e një javë për çdo ditë grupe serbësh kanë protestuar duke kundërshtuar rindërtimin e pesë shtëpive të shqiptarëve të shkatërruara gjatë luftës në Kosovë. Ata ngulin këmbë se kthimi i tyre duhet të kushtëzohet me siç thuhet, kthimin e serbëve në pjesën jugore të qytetit.

Autoritetet në Prishtinë thanë se kthimi i qytetarëve të zhvendosur në pronat e tyre është një e drejtë e garantuar për të gjitha komunitetet dhe nuk do të lejohet pengimi i këtij procesi.

Incidentet në veri kanë nxitur edhe reagimin e Bashkimit Evropian, i cili është shprehur i vendosur që t'i bëjë të dalin para drejtësisë të gjithë ata që rrezikojnë jetët e personelit të misionit të këtij bashkimi dhe të qytetarëve të Kosovës.

Qyteti i Mitrovicës vazhdon të jetë i ndarë në dy pjesë në jugun me shumicë shqiptare dhe veriun me shumicë serbe, zonë kjo që është shndërruar në skenë të kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.//rd//

XS
SM
MD
LG