Lidhje

Kosovë:Zhdukja e analfabetizmit dhe sistemi arsimor i vendit


Askush nuk e di me saktësi, por vlerësimet flasin se rreth 10 për qind e popullsisë nuk di shkrim e lexim. Zhdukja e kësaj dukurie cilësohet si njëra ndër standardet kryesore që duhet të përmbush Kosova në nivelin e arsimit.

Autoritetet besojnë se kjo dukuri do të marrë fund deri në vitin 2015. Shkaqet kryesore të analfabetizmit thuhet se janë problemet me të cilat është përballur sistemi arsimor në Kosovë që nga vitet nëntëdhjetë e deri në shpalljen e pavarësisë së vendit.

Kjo ishte edhe një nga problemet e trajtuara në aktivitetin e quajtur "Java e Arsimit për të gjithë" e organizuar nga Ministria e Arsimit. Zëvendësministri, Agim Hyseni, i tha Zërit të Amerikës se institucionet janë të përkushtuara që të sigurojmë kushtet e mjaftueshme për të siguruar përfshirjen e të gjithë nxënësve në shkollën fillore dhe të mesme.

“Prandaj, një nga ndërmarrjet e mëdha të ministrisë me përkrahjen pa rezervë të qeverisë ka qenë ndryshimi pozitiv i infrastrukturës të cilat janë pasojë e shkaqeve që dihen dhe bie fjala zëvendësimi I kontejnerëve me kushte normale të punës qoftë për arsimtarë qoftë për nxënës, dhe po ashtu ofrimi I shkollës tek nxënësit që shpresojmë se do të ndalojë së pari valën e braktisjes së shkollës dhe për më tepër, kur është fjala për viset rurale, do të krijojë mundësi më të mëdha për vijueshmërinë e të gjithë nxënësve të të gjitha origjinave.” tha Agim Hyseni, Zv/ministër i Arsimit.

Hulumtimet e organizatave vendase e ndërkombëtare tregojnë se shkalla e analfabetizmit është më e lartë në mesin e femrave sesa tek meshkujt. Posaçërisht kjo dukuri është e shprehur në mjediset rurale, ku besohet se rreth 14 për qind e femrave nuk dinë shkrim e lexim.

Zëvendësministri i arsimit, Agim Hyseni, tërheq vërejtjen edhe në mungesën e komunikimit në mes të familjeve dhe shkollës për rëndësinë që ka arsimimi pa dallime gjinore. Ai thotë se institucionet e Kosovës po punojnë që të ofrojnë mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit pa dallime.

Në këtë kuadër ai përmend edhe angazhimin e ministrisë së arsimit karshi nxënësve të komunitetit serbë që jetojnë në Kosovë, e të cilët vijojnë mësimin në bazë të plan programeve të ministrisë së arsimit të Serbisë.

“Kemi provuar që të ofrojmë programet për të gjitha komunitetet, në dy gjuhët zyrtare dhe në të gjitha gjuhet e komuniteteve të tjera brenda përcaktimeve kushtetuese dhe në këtë aspekte dhe refuzimi i qytetarëve serbë për arsye që shpesh janë jashtë arsimore, jashtë profesionale, kur dihet se paguhen diku gjashtë herë më shumë sesa arsimtarët që paguhen nga buxheti i Kosovës, do të provojmë të bëjmë të pamundurën që çështjen e tyre ta trajtojmë në mënyrë profesionale, humane dhe si të drejtë kushtetuese, ndërsa ju e dini se komisioni është ngritur për shqyrtimin e plan programeve në gjuhën serbe, t’iu ofrojë programe të cilat do tu përgjigjeshin interesave të këtyre qytetarëve.” tha Agim Hyseni, Zv/ministër i Arsimit.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, nxënësit serbë të cilët jetojnë në zonat me shumicë serbe në Kosovë vijojnë mësimin në bazë të plan programeve të ministrisë së arsimit të Serbisë, ndërsa nxënësit shqiptarë dhe ata të komuniteteve të tjera, mësojnë sipas plan programit të Kosovës.

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka tërhequr vërejtjen se ekzistenca e dy sistemeve arsimore në Kosovë ndikon në izolimin e nxënësve nga mjedisi shoqëror duke përforcuar kështu ndarjet etnike.//mm//

XS
SM
MD
LG