Lidhje

SHBA - Papunësia rritet me ritme gjithnjë e më të ngadalta


Ritmet e shkurtimit të vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara gjatë muajit të kaluar treguan ngadalësim, një fakt që po interpretohet si shenjë e kapërcimit të fazës më të rëndë të recesionit.

Departamenti amerikan i Punës nxori sot një raport ku thekson se 539 mijë vende pune u shkurtuan gjatë muajit prill. Kjo shifër përfaqëson rreth 25 për qind më pak se një muaj më parë dhe ritmet më të ulëta të shkurtimit të vendeve të punës që në tetor.

Megjithatë, papunësia në Shtetet e Bashkuara përsëri shënoi rritje në masën 0.4 për qind në prill duke arritur nivelin 8.9 për qind, më i larti në 25 vjet.

Presidenti Barak Obama i cilësoi shifrat shqetësuese dhe u shpreh se synon të ndryshojë mënyrën se si qeveria federale mbështet amerikanët e papunë.

Ai tha se në disa raste, rregulla të palogjikshme anulojnë ndihmën sociale për të papunët, nëse ata regjistrohen në kurse apo shkolla për të përmirësuar arsimimin.

Në një takim në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se do t’i parashtrojë në javët e ardhshme ndryshimet që propozon në sistemin e kualifikimit profesional dhe përgatitjes arsimore.

XS
SM
MD
LG