Lidhje

Pesë protestues serbë nën prangat e policisë



Pesë qytetarë serbë të Kosovës janë arrestuar nga Policia pas protestës së mbrëmshme në komunën e Kamenicës, në Kosovën Lindore, ku mbetën të plagosur 21 pjesëtarë të policisë. Të pakënaqur me ndërprerjen e energjisë elektrike qindra qytetarë serbë kanë protestuar duke bllokuar magjistralen Gjilan – Bujanoc. Protestuesit hodhën gurë, shishe e mjete të tjera të forta kundër pjesëtarëve të policisë derisa ata po bënin përpjekje të zhbllokojnë rrugën.

Zëdhënësi i policisë, Arbër Beka thotë se situata është vënë nën kontroll, por sipas tij, ajo vazhdon të mbetet e tensionuar si pasojë e protestave të herëpashershme nga pjesëtarët e komunitetit serb. “Ne e respektojmë të drejtën për të protestuar, pasi që është e drejtë e garantuar me kushtetutë, dhe përderisa protesta është e qetë ajo nuk paraqet asnjë problem, mirëpo, nuk do të lejohet bllokimi i rrugës, nuk do të lejohet sulmi ndaj policisë së Kosovës. Ne jemi këtu për të mbajtur rend dhe qetësi dhe gjithsesi nuk do të lejohet as kufizimi i lirisë së lëvizjes për qytetarët e tjerë”.

Qytetarët serb të Kosovës nuk e kanë paguar energjinë e shpenzuar elektrike që nga viti 1999, dhe borxhi i tyre ndaj Korporatës Energjetike vlerësohet të jetë mbi 120 milion euro.

Ata kërkojnë rifillimin e furnizimit me energji elektrike pasi që Korporata Energjetike i kishte shkëputur nga rrjeti për shkak të, faturave të papaguara. Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala, thotë se energjia elektrike do të vazhdojë të mbetet e ndërprerë në ato zona ku qytetarët nuk fillojnë shlyerjen e detyrimeve ndaj kësaj korporate. “Ne nuk i ndajmë konsumatorët në vija etnike, por i ndajmë konsumatorët në ata që paguajnë faturat e tyre dhe ata që nuk i paguajnë faturat. Të gjithë ata që paguajnë faturat e tyre ne zotohemi se do t’i furnizojmë me energji elektrike ndërsa ata që nuk paguajnë do t’i shkyçim nga rrjeti. Ne po iu ofrojmë marrëveshje, po iu ofrojmë kontrata individuale konsumatorëve, gjë që e kemi edhe obligim ligjor në mënyrë që t’ua lehtësojmë format që ata të paguajnë faturat e tyre, mirëpo kur hasim në rezistencë të të gjitha formave, atëherë masa e fundit është shkyçja”, thotë zoti Buzhala.

Grupe qytetarësh serbë edhe sot janë mbledhur në disa fshatra të komunës së Kamenicës në protesta që kanë kaluar pa incidente. Përfaqësuesit e tyre thanë se nuk do t’i paguajnë faturat e tyre por kanë kërkuar nga Beogradit që të ndërhyjë për të zgjidhur gjendjen e krijuar. Zyrtarë të Beogradit ndërkaq, u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës t’iu shmangen përleshjeve me Policinë e Kosovës dhe problemet t’i zgjidhin me rrugë paqësore. Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë e ka dënuar ashpër dhunën e protestuesve serbë dhe siç thuhet politizimin e protestës, ndërsa ka kërkuar që përgjegjësit për aktet e dhunës të dalin para drejtësisë.//rd//

XS
SM
MD
LG