Lidhje

Strategjia e re amerikane për Pakistanin dhe Afganistanin


Strategjia e re e presidentit Obama për Pakistanin dhe Afganistanin po shihet me kujdes më të madh nga Kongresi amerikan, ku po diskutohen ndihmat ushtarake dhe ato të zhvillimit që nevojiten për dy vendet. Ligjvënësit kërkojnë më shumë përgjegjshmëri dhe disa po vënë në pyetje nëse shtimi i ndihmave mund ta zgjidhë problemin. Analistë në grupet studimore të Uashingtonit japin mendime të ndryshme mbi strategjinë e re.

Kryengritësit talebanë zhvilluan këtë javë sulme në të dy anët e kufirit mes Pakistanit dhe Afganistanit. Ata organizuan sulme vetëvrasëse me bomba pranë ndërtesave qeveritare afgane dhe një baze ushtarake amerikane në provincën Kost të Afganistanit. Ata vunë në shenjestër edhe kamionët që transportonin furnizimet e NATO-s pranë Peshavarit në Pakistan.

Ringjallja e Talebanit ka shtuar debatet në Uashington mbi strategjinë e re të presidentit Obama për rajonin.

Presidenti Obama e ka lidhur suksesin në Afganistan me stabilitetin e Pakistanit, ku lëvizja talebane është fuqizuar.

“Ne kemi një synim të qartë: të ndërpresim, shpërbëjmë dhe të mposhtim rrjetin al-Kaida në Pakistan dhe Afganistan.”

Presidenti Obama i ka kërkuar Kongresit 400 milionë dollarë ndihma urgjente për Pakistanin në luftën kundër kryengritjes. Ai kërkoi fonde shtesë edhe për ndihmat e zhvillimit në Afganistan.

Por disa senatorë thonë se administrata e presidentit Bush dha më shumë se 12 miliardë dollarë për Pakistanin pa rezultate konkrete.

Gjatë një seance dëgjimore të komisionit të senatit këtë javë, ligjvënësit nga të dy partitë politike kërkuan përgjegjshmëri më të madhe për ndihmën që do t’u shkojë Pakistanit dhe Afganistanit.

Senatori republikan Xhejms Rish thotë se habitet nga mungesa e përparimit në Afganistan, të cilin ai e quajti “vrimë të zezë” pa fund.

“Shuma e parave është e paimagjinueshme, si dhe jetët e amerikanëve që janë humbur. Ndërkohë që kontrolli i qeverisë lokale arrin vetëm deri tek rrethinat e kryeqytetit.”

Riçard Holbruk, përfaqësuesi i posaçëm i administratës për Pakistanin dhe Afganistanin, u përgjigj duke thënë se do të vihen standarte për matjen e përparimit.

Por edhe shtimi i numrit të trupave në Afganistan ka ngritur shqetësime. Presidenti Obama ka urdhëruar dislokimin e 21 mijë trupave shtesë në Afganistan për të ndihmuar në luftimet në pjesën jugore të vendit.

Seantori demokrat Ras Fajngold thotë se ai shqetësohet se një veprim i tillë mund t’i detyrojë talebanët dhe al-Kaidën të zhvendosen në Pakistan.

“A jeni i sigurt se shtimi i trupave në Afganistan nuk do të sjellë rezultatin e kundërt në lidhje me Pakistanin?"

“Jo. Por jam i sigurt se ne e njohim problemin dhe po punojmë intensivisht me ushtrinë pakistaneze.”

Zoti Holbruk thotë se Shtetet e Bashkuara po e nxisin Pakistanin të dislokojë më shumë trupa në kufirin perëndimor.

Por disa ligjvënës thonë se stabiliteti në Afganistan nuk do të arrihet vetëm përmes mjeteve ushtarake. Ata thonë se qeveria afgane duhet të ndalojë prodhimin e drogës dhe t’i japë fund korrupsionit.

Për ta bërë këtë, analistë si eksperti kundër terrorizmit Fred Kagan thonë se çdo strategji e suksesshme duhet të përfshijë respektimin e ligjit dhe rendit në Afganistan.

“Ata kanë nevojë për dikë që do të marrë vendime mbi mosmarrëveshjet për tokat dhe pronat dhe t’i zbatojë ato. Dështimi në zbatimin e ligjit dhe rendit ka krijuar mundësinë që Talebani të vazhdojë të funksionojë. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje këtij faktori.”

Ekspertët thonë se presidenti Obama do të duhet të gjejë mënyra më efikase për fuqizimin e forcave afgane të sigurisë, si dhe t’i bëjë Shtetet e Bashkuara më të afta për të mënjanuar propagandën e Talebanit dhe al-Kaidës. //bsa//

XS
SM
MD
LG