Lidhje

Thirrje për reformimin e Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut

  • Xhulia Riçi

Ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten të hynë në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut muajin e ardhshëm, mbrojtësit e këtyre të drejtave thonë se Uashingtonit i krijohet kështu mundësia për të rivendosur besueshmërinë në një organizatë, ndër anëtarët e të cilës përfshihen vende ku të drejtat e njeriut shkelen. Shtetet e Bashkuara u zgjodhën anëtare të këshillit muajin e kaluar, me një mandat tre vjeçar që fillon më 19 qershor. Por një pjesë e ekspertëve nuk kanë shumë shpresa se ky këshill do të shënojë ndonjë përparim real.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut, të irituar nga përparimi i parëndësishëm në vende të tilla si Sudani, Zimbabveja dhe Kina, vënë në diskutim aftësinë e administratës Obama për të arritur rezultate në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Ambasadorja, Suzën Rajs u tha gazetarëve pas zgjedhjes së Shteteve të Bashkuara se nuk ushqen ndonjë iluzion.

"Natyrisht që ne kemi të njejtën pikpamje se Këshilli nuk ka funksionuar në kapacitetin e tij të plotë, por ne nuk do të kishim vënë kandidaturën po të mos mendonim se është e mundur që Këshilli të vërë në jetë vizionin që ne të gjithë kishim kur ai u krijua”.

Këshilli i Kombeve të Bashkuara për Drejtat e Njeriut ka zëvendësuar Komisionin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Mark Leigën, ish zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit në administratën Bush, ishte një nga negociatorët për krijimin e këshillit të ri tri vjet më parë, megjithëse adminsitrata Bush e bojkotoi më vonë këshillin.

"Komisioni për të drejtat e njeriut u pa si një organizëm i bllokuar dhe i politizuar.Fatkeqsisht, edhe organizmi i ri nuk ka që më mirë, por ndoshta edhe më keq".

Por Paula Shrifër e Freedom House thotë se fuqia e Këshillit qendron në kompetencën e tij për të hedhur dritë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut.

"Shtetet e Bashkuara, për shembull, kanë luajtur një rol udhëheqës për të paraqitur rezuluta.Ndonjëherë këto rezuluta miratohen, ndonjëherë jo.Në fakt nuk ka rëndësi që çdo njëra nga rezolutat të miratohet.Është me rëndësi që ato të paraqiten”.

Një rast i tillë ishte Kina, thotë zonja Shrifër, kur Shtetet e Bashkuara paraqitën rezoluta për dënimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në atë vend, edhe pse ato nuk u miratuan.

Mark Leigën thotë se Shtetet e Bashkuara dhe demokraci të tjera duhet të ngrenë zërin kundër shkeljes së të drejtave të njeriut në Iran, Birmani, madje edhe në vendet që janë aleate strategjike të Amerikës në Lindjen e Mesme, siç është Arabia Saudite.

"Meqë Shtetet e Bashkuara bëhen pjesën e Këshilit të të drejtave të njeriut , ato duhet të mbajnë një qendrim të hapur. Ato duhet të ngrenë zërin në mbrojtje të vlerave që duhet të përfaqësojnë Kombet e Bashkuara”.

Zonja Shrifër thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë po aq burime Këshillit sa edhe vendet e tjera.

"Për mendimin tim Këshilli vazhdon të ketë peshë për faktin se vendet ku të drejtat e njeriut shkelen, vazhdojnë t’i kushtojnë atij mjaft rëndësi dhe burime”.

Në përgjithësi, ata që janë në favor të Këshillit thonë se është më mirë që Shtetet e Bashkuara të jenë anëtare të tij.Zonja Shrifër thotë se ai është i vetmi mekanizëm global për promovimin e të drejtave të njeriut. //iç//

XS
SM
MD
LG