Lidhje

Gibs: Për SHBA ka rëndësi përmirësimi i imazhit te myslimanët


Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se në fjalimin që do të mbajë në Egjipt, Presidenti Barak Obama do të shprehë “vendosmërinë e tij personale” për të angazhuar komunitetet myslimane kudo në botë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs informoi dje gazetarët mbi udhëtimin që presidenti do të bëjë javën tjetër në Lindjen e Mesme dhe në Europë. Ai tha se zoti Obama do të mbajë një fjalim më 4 qershor në Universitetin e Kajros.

Zoti Gibs tha se presidenti do të përqendrohet te ngushtimi i disa diferencave që i kanë ndarë Shtetet e Bashkuara dhe komunitetet myslimane. Ai tha se zoti Obama do të flasë gjithashtu për çështje që përbëjnë shqetësim të veçantë, siç janë ekstremizmi i dhunshëm dhe konflikti izraelito-palestinez.

Presidenti Obama do të takohet edhe me Presidentin egjiptian Hosni Mubarak dhe do të vizitojë një xhami.

Zëvendëskëshilltari i Sigurimit Kombëtar amerikan Denis MekDonou u tha dje gazetarëve se Egjipti është një aleat i vjetër strategjik i Amerikës. Ai e quajti Egjiptin një vend me rëndësi kryesore në botën myslimane, i cili ka një popullatë të re dhe plot gjallëri.

Presidenti Obama do ta fillojë turneun me një ndalesë në Arabinë Saudite më 3 qershor ku do të takohet me Mbretin Abdullah.

Pas largimit nga Lindja e Mesme, Presidenti Obama do të shkojë më 5 qershor në Gjermani, ku do të takohet me Kancelaren Angela Merkel dhe do të vizitojë ish kampin e përqendrimit të Buhenvaldit.

Presidenti do ta përfundojë udhëtimin me një vizitë në Francë më 6 qershor, për të përkujtuar së bashku me veteranë dhe përfaqësues të vendeve të tjera përvjetorin e zbarkimit të aleatëve në Normandi. //ii

XS
SM
MD
LG