Lidhje

Ndihmesa e  Kinës në operacionet paqeruajtëse të OKB-së


Ndërsa misionet paqeruajtëse të Kombeve e Bashkuara janë përhapur në çdo cep të botës, një fuqi e madhe po sjell një ndryshim. Kina, një vend i cili dikur i kritikonte operacionet paqeruajtëse të OKB-së si ndërhyrje në sovranitetin kombëtar, është tani një forcë kontribuese. Rreth 2,200 kinezë janë rreshtuar me helmetat blu, karakteristika e paqeruajtësve të OKB-së.

Paqeruajtësit kinezë po rrisin ndjeshëm praninë e tyre për të mbuluar operacionet e paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara nga Sudani në Haiti dhe Liberi. Me 115 mijë helmeta blu të shpërndara anembanë botës, në misione të ndryshme, OKB-ja thotë se është mirënjohëse për ndihmesën e Kinës. Alain Le Roy është Zv/Sekretar i Përgjithshëm për operacionet Paqeruajtëse të OKB-së.

“Trupat e tyre janë shumë të disiplinuara, organizimi i strukturës së tyre komanduese është i shkëlqyer dhe kudo që ata janë në Haiti ose Darfur, kampi kinez gjendet lehtësisht dhe aftësia e trupave, inxhinierët e tyre, doktorët e tyre janë shumë të kualifikuar”.

Kina nuk jep trupa luftarake, por siguron ekipe mjekësore, inxhinjerë, policë civilë, dhe vëzhgues ushtarakë. Diplomatët kinezë në OKB, thonë se ata duan të përcjellin një imazh të konsoliduar paqësor, të një vendi të përgjegjshëm. Dhe ambasadori kinez në OKB Zhang Yesui, thotë se si një vend në zhvillim, ata do të jenë dhe më të angazhuar.

“Kina është një vend në zhvillim, por jam i bindur që Kina e zhvilluar do të ndihmojë më shumë në vazhdimin e operacioneve paqeruajtëse të OKB”.

Angazhimi më i fundit i 2200 paqeruajtësve nuk është shumë i madh për një vend, ushtria e të cilit ka më shumë se 2 milion, por është angazhim i vlefshëm përsa i takon projektimit të imazhit në komunitetit ndërkombëtar, kryesisht në Afrikë, ku shpërndarja e helmetave blu përkon me një valë investimesh kineze.

“Kudo që të jetë paqja, mendoj se do të ketë mundësi për investime. Kështu mendoj se është shumë e rëndësishme dhe për njerëzit e tregëtisë”.

Së fundmi, Kina dukshëm është larg përfaqësimit të paqeruajtësve nga Pakistani, India, Bangladeshi ose Nigeria. Por ndihmesa e saj ka tejkaluar atë të shumë vendeve perëndimore. Kina gjithashtu kohët e fundit ka pozicionuar disa anije ushtarake për luftuar piraterinë në brigjet e Somalisë. Analisti i paqeruajtësve Riçard Gowan nga Qendra e Bashkëpunimit Ndërkombëtar e sheh Kinën si një plotësues i një boshllëku, të cilin mjaft vende perëndimore, nuk mund ta bëjnë.

“Vendet perëndimore nuk kanë kaq shumë të ardhura dhe nuk kanë kaq shumë trupa për të patur një angazhim të qëndrueshëm në Afganistan dhe në Ballkan, dhe Kina ka avantazh nga kjo. Kina ka nisur të ngjajë me një fuqi botërore, ndërsa vendet europiane janë duke u zbehur”.

OKB shpreson që Kina të motivojë dhe vendet e tjera që të ndjekin shembullin e saj. SHBA dhe Britania kanë ulur numrin e paqeruajtësve të OKB, duke u përqëndruar më tepër në të ardhura, se në trupa. Ish kreu i operacioneve paqeruajtëse të OKB-së, Jean Marie Guehenno thotë se tek disa ëshët krijuar përshtypja se ata nuk shqetësohen për operacionet e OKB-së. Dhe ai argumenton se përfshirja e Kinës mund të inkurajojë fuqitë e tjera të mëdha që të kthehen në aksionet paqeruajtëse.

“Mendoj se nuk është krejtësisht jorealiste që anëtarët perëndimorë të Këshillit të Sigurimit t’i rikthehen angazhimit për ruajtjen e paqes dhe mendoj që angazhimi i Kinës është një faktor shtesë i cili mund të japë një shtysë në këtë drejtim dhe kjo është një gjë e mirë”.

Këto helmeta blu janë ambasadorë të një Kine të re. //iç//

XS
SM
MD
LG