Lidhje

Shqipëri: Autoritetet publikojnë të dhënat për listën e votuesve


Në zgjedhjet e qershorit, Shqipëria do të ketë rreth 250 mijë votues më shumë. Ministria e Brendshme publikoi mbrëmë shifrën prej 3 milionë e 84 mijë të zgjedhësve që janë në lista, pasi u regulluan një seri difektesh në listat e mëparshme. Megjithatë, identifikimi i votuesve pritet të jetë një problem kryesor në zgjedhjet qe do të mbahen pas 3 javësh.

Ministria e Brendshme publikoi të dhënat më të fundit mbi listën e votuesve që marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti. Në njoftimin e orëve të vona theksohej se numri total i qytetarëve në listat e votuesve është 3,840,067. Shifrat janë bazuar në të dhënat e mbledhura dhe përpunuara nga bashkitë dhe komunat e vendit.

Gjithashtu numri total i qendrave të votimit për këta zgjedhës është 4 mijë e 812 në të gjithë vendin. Kryeqyteti ka 824 qendra votimi, pastaj vjen Elbasani dhe Fieri dhe më pak qendra votimi kanë Qarku i Kukësit dhe ai i Lezhës. Në zgjedhjet e kaluara, numri i qytetarëve në lista ishte 2,850,000 ndërsa sivjet janë rreth 250 mijë më shumë, kjo si rrjedhojë e rritjes së popullsisë por edhe e saktësimit të listave elektronike nga pushteti vendor.

Të dhënat e ministrisë së Brendshme janë një përpjekje për t’i dhënë fund debateve mbi numrin e votuesve dhe pasaktësitë në lista. Në të gjithë zgjedhjet e mëparshme kanë qenë të zakonshme parregullsitë në listat e votuesve, akuzat e ndërsjella për manipulim të tyre dhe vjedhje të votave përmes falsifikimit të listave apo votimit të militantëve partiakë nga 2 apo më shumë herë.

Këtë vit autoritetet qendroe dhe ato vendore kanë bashkëpunuar për të patur lista sa më të sakta, duke eliminuar dublimet e emrave, që vinin nga migrimi i madh i popullatës brenda dhe jashtë vendit. Tani Shqipëria ka një regjistër kombëtar të zgjedhësve dhe qytetari ka një numër elektronik personal dhe letërnjoftim modern, krahas pasaportave biometrike, që sapo kanë nisur të prodhohen. Analistët vërejnë se megjithë masat shtesë, përsëri pikë kyçe e zgjedhjeve do të mbetet identifikimi i votuesve, pasi një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ende nuk kanë aplikuar për të marrë kartat e identitetit.

Në një nga deklaratat për këtë çështje, OSBE-ja ka theksuar se qytetarët duhet të pajisen me kartat e reja në një kohë qartësisht të largët me datën e zgjedhjeve. Megjithatë fushata ka nisur dhe disa dhjetëra mijë qytetarë nuk kanë aplikuar, ndonëse çmimi i kartës është ulur ndjeshëm. Ndërkohë zyrtarët ende prodhojnë karta dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të aplikojnë deri në ditën e fundit.

XS
SM
MD
LG