Lidhje

Kosovë: Presidenti Sejdiu shpall ditën e zgjedhjeve komunale


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shpalli sot 15 nëntorin e këtij viti si datë për mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin komunal, duke i dhënë fund nje varg këshillimesh me partitë politike dhe debateve rreth datës së tyre.

Presidenti Sejdiu tha se kjo datë është zgjedhur për shkak se me ligjet ne fuqi, zgjedhjet lokale të sivjetme parashihet të mbahen në fund të mandatit të pushteteve komunale të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit 2007.

Përfaqësues të opozitës kanë kërkuar zgjedhjet të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor, por presidenti Sejdiu tha sot se, pas takimeve që ka zhvilluar me përfaqësuesit e të gjitha partive politike, ai ka vendosur datën më të përshtatshme për të gjithë dhe në pajtim me dokumentet në fuqi.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidentit duhet të shpallë datën e zgjedhjeve "jo më herët se katër muaj dhe jo më vonë se gjashtë muaj" para skadimit të mandatit të pushteteve aktuale në komunat e vendit.

Zgjedhjet e sivjetme për pushtetin komunal janë të parat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Presidenti Sejdiu u bëri thirrje me këtë rast edhe pjesëtarëve të komunitetit serb që të bëhen pjesë e procesit politik dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e sivjetme për pushtetin komunal. //iç//

XS
SM
MD
LG