Lidhje

Shtohet numri i të uriturve në botë



Më shumë se një miliard njerëz nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, dhe një agjenci e Kombeve të Bashkuara thotë se kjo është shifra më e lartë e shënuar ndonjëherë.

Një raport i Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë thotë se numri i njerëzve të uritur do të rritet me rreth 11 përqind këtë vit.

Rajoni i Azi-Paqësorit është më i godituri, me 642 milion njerëz që vuajnë nga uria. Ai pasohet nga Afrika nën-Sahariane ku 265 milion veta vuajnë nga uria kronike.

Organizata e OKB-së thotë se problemi është rënduar nga kriza ekonomike globale dhe nga çmimet relativisht të larta të ushqimeve. Çmimet e ushqimeve kanë rënë pak nga niveli rekord i vitit të kaluar, megjithatë ato ende mbeten të larta dhe mbi mesataren afatgjatë.

Ndryshimet në çmimet e ushqimeve i kanë goditur rëndë të varfërit që shpenzojnë rreth 60 përqind të të ardhurave të tyre për t’u ushqyer.

Autorët e raportit thonë se uria është rrezik serioz për paqen dhe sigurinë botërore dhe u bën thirrje qeverive të ndihmojnë bujqit e vegjël me farë, plehëra kimike, financime dhe këshilla teknike.

XS
SM
MD
LG