Lidhje

Autoritetet e Kosovës reagojnë për ndalimin e Agim Çekut në Bullgari


Prokurorët në Bullgari thanë se ish kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, do të mbahet për 72 orë, pasi u arrestua nën akuzat për krime lufte dhe se janë në pritje të informacionit shtesë, para se të vendosin nëse do ta ekstradojnë zotin Çeku, apo do ta lirojnë ate.

Policia e arrestoi ish kryeministrin Çeku dje vonë në kufirin e Bullgarisë me Maqedoninë me një fletë arresti të Interpolit, lëshuar nga Serbia. Ish ministri i Jashtëm bullgar, Solomon Pasi, u tha gazetarëve se zoti Çeku po shkonte në Bullgari për të kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Kosova e ka kundërshtuar përpjekjen e Serbisë për të ndaluar Çekun, me argumentin se ajo nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Kosovës.

Beogradi e akuzon zotin Çeku për krime lufte kundër serbëve në fund të viteve 1990, kur ai ishte drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zoti Çeku është arrestuar disa herë më parë me fletë arresti të lëshuara nga Serbia, por më pas është liruar.

Në Kosovë autoritet kanë reaguar duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish kryeministrit Çeku. Zyrtarë të ministrisë së jashtme thanë se janë vënë në kontakt me autoritetet bullgare për të siguruar lirimin e tij, ndërsa ministria e brendshme tha se do të kërkojë sërish nga policia ndërkombëtare që të shpallë të pavlefshme fletarrestimet e lëshuara nga Beogradi. Kjo është hera e katërt që zoti Çeku përballet me probleme të ngjashme gjatë udhëtimeve të tij.

Një përvojë të ngjashme me atë të zotit Çeku pati edhe kryeministri Hashim Thaçi, kur ishte shef i opozites në Kosovë. Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Zyrtarët në Kosovë thanë sot se Serbia nuk ka më juridiksion mbi Kosovën dhe rrjedhimisht të gjitha fletarrestimet e lëshuara prej saj janë të pavlefshme. Bullgaria është një nga 60 vendet e botës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës por kjo nuk i ka penguar autoritetet e atjeshme që të përfillin megjithatë një fletarrestim të lëshuar nga Beogradi. Autoritetet në Kosovë, tash për tash nuk e dinë se sa fletarrestime të tilla janë ngritur kundër qytetarëve të vendit. //ad//

XS
SM
MD
LG