Lidhje

Vendoset ndalim-qarkullimi në rajonin mysliman të Kinës


Media shtetërore në Kinë thotë se qeveria në rajonin perëndimor të Xinjiangut ka shpallur ndalim qarkullimin pas trazirave me karakter etnik që kanë paralizuar qytetin kryesor të Urumqit.

Zyrtari më i lartë i qytetit, udhëheqësi i Partisë Komuniste Li Zhi, tha sot se autoritetet po ashtu po bllokojnë shërbimin e telefonave dhe atë të internetit në disa pjesë të qytetit, me qëllim që të parandalojnë trazira të mëtejshme. Zëdhënësi i Minstrisë së Jashtme Kineze, Kin Gang, tha se forcat e huaja po i shfrytëzojnë këto shërbime për të nxitur dhunën.

Të dy zyrtarët fajësuan në mënyrë specifike emigranten ujgure në SHBA, Rebija Kadir, për organizimin e protestave të së dielës, që kanë shkaktuar të paktën 156 të vdekur. Zonja Kadir ka hedhur poshtë akuzat se ka lidhje me trazirat.

Klubi i korrespondentëve të huaj të Kinës u ankua se forcat e sigurimit në Xinjiang ndaluan dhe keqtrajtuan ekipet e kanaleve të huaja televizive dhe reporterë të tjerë.

Edhe sot, pati trazira të tjera, ku ujgurët myslimanë dhe kinezët Han u përkeshën me policinë në incidente të veçanta. //rd//


XS
SM
MD
LG