Lidhje

Punonjësit më të moshuar përballë vështirësish në tregun e punës


Në kushtet kur papunësia në Amerikë është në nivelin më të lartë në 25 vjet, shumë nga ata që janë më të vjetër në moshë thonë se e kanë të vështirë të konkurojnë me më të rinjtë. Sipas statistikave, njerëzit e moshës mbi 45 vjeç, u duhet të kërkojnë 6 javë më tepër se sa të rinjtë për të gjetur punë. Dhe kjo kategori njerëzish e quajtur “baby boomers” po shtohet me shpejtësi në Amerikë. Fjala është për ata që kanë lindur mes viteve 1946 dhe 1964, njerëz që përballen me konkurrencë të madhe në tregun e tanishëm aspak të favorshëm të punës.

I mbetur pa punë që prej dy vjetësh, 55 vjeçari Riçard Zaleva thotë se ka një CV mjaft të mirë por ç’tu bësh flokëve të thinjur, të cilët me sa duket po ia pakësojnë mjaft shanset për të gjetur punë.

"Më thirrën në telefon për një intervistë dhe papritur dëgjova dikë që i tha shefit nga dera gjysmë e mbyllur: sot do të intervistojmë këtë xhaxhanë e thinjur."

Historia e Riçardit nuk është e pazakontë. Specialistja e grafikës Suzan Rosend, e cila është 41 vjeç, thotë se disa firma as që e fshehin bezdinë kur u vjen për të kërkuar punë dikush paksa më i moshuar.

"Njëri më tha se nuk donte njerëz në moshë të mesme por preferonte të rinj, njerëz të uritur për të mësuar. Dhe unë ja ktheva: Edhe unë e re jam në shpirt dhe mjaft e uritur për të mësuar!" Me rënien e ekonomisë amerikane, statistikat zyrtare tregojnë se më të vjetërve u duhen 6 javë më tepër për të gjetur punë se sa të rinjtë."

55-vjeçari Alan Mag tregon se punëdhënësit i thonë se është më i kualifikuar se duhet.

"Nëse kërkon të blesh një Shevrole dhe dikush të ofron një Kadillak me të njëjtin çmim, a nuk do të blije ti Kadillakun?"

Organizata AARP, e cila mbron interesat e moshës mbi 50 vjeç, thotë se diskriminimi për moshën në Amerikë po rritet. Ja ç’thotë Deborah Rasëll.

"Këta njerëz mund të kërkojnë punë më pak të paguara se ato që bënin më parë. Por kjo nuk do të thotë se punëdhënësit duhet t’i përjashtojnë të vjetrit nga tregu i punës."

Riçard Zaleva thotë se i duhet të punojë shumë për të rënë në sy.

"Kjo më dekurajon pak por kurrë nuk ndjehem i mundur. Thjesht më duhet të punoj më shumë për të shitur veten."

Departamenti i Punës thotë se shkalla e papunësisë për mbi 45-vjeçarët arriti 6.4 përqind në muajin mars. Kjo është më e larta që nga viti 1948 kur qeveria filloi të ndiqte prirjet e punësimit në Amerikë. //ad//

XS
SM
MD
LG