Lidhje

Klubet tradicionale në Britani, kërcënohen të mbyllen


Në Britani, institucionet e vjetra dhe të dashura nuk do të thotë se kanë imunitet ndaj pasojave të krizës ekonomike. Në fakt, klubet në Britani, siç njihen atje me emrin pab-e, po mbyllen me një ritëm alarmant: vetëm vitin e kaluar, rreth 2 mijë e 400 pub-e u mbyllën, duke shkaktuar humbjen e 2 mijë e 400 vendeve të punës. Kritikët thonë se në se qeveria nuk i ul taksat për birrën, kjo prirje do të vazhdojë.

Për qindra vjet me radhë, pab-et në Britani kanë qenë qendra të jetës sociale: vendi ku mund të shkoje për të pirë një gotë birrë dhe për të biseduar me miqtë. Por tani ato po rrezikohen. Gjendja jo e mirë e ekonomisë, ndalimi i pirjes së duhanit në ambjentet e mbyllura dhe taksat e larta për birrën që konsumohet në pab-e, të gjitha këto po ushtrojnë presion ndaj tyre (pab-eve).

Bridget Walsh ka 42 vjet që është pronare pub-i. Ajo thotë se kultura e pub-eve po ndryshon. Ajo thotë:

"Njerëzit nuk shkojnë më nëpër pub-e si më parë. Tani ata kanë prirjen të shkojnë në restorante. Ata preferojnë më tepër ta blejnë birrën nëpër supermarkete dhe ta pijnë në shtëpi..., ku mund të zbaviten siç duan."

Por nuk është vetëm zbavitja që ata mund ta kenë në shtëpi. Pab-et, dikur ishin të mbushura me tymin e duhanit, por jo më tani. Tani duhanxhinjtë duhet të dalin jashtë të pijnë cigare dhe kjo gjë i ka dëmtuar bizneset.

"Në se nuk e shoqëron dot një gotë birrë me një cigare, është më mirë të pish në shtëpi...," - thotë Bridget Walsh.

Në festivalin vjetor të birrës në Londër, sheh me qindra lloje birrash, dhe shumë entuziazëm. Këtu mund të mendosh se pab-et do jetojnë përgjithmonë.

Por Nil Williams i shoqatës së birrave dhe pab-eve britanike, thotë se gjendja e është serioze.

"Në Britani tani mbyllen çdo javë 52 pab-e dhe në se nuk marrim masa, do të humbim shumë nga pab-et më të dashura të komunitetit."

Zoti Williams thotë se taksat e birrës në pab-e u rritën me 20 për qind në 18 muaj, pra thotë ai, janë kohë të vështira.

"Ndalimi i duhanit përkoi me shumë probleme të tjera në tregëti: rritja e çmimeve, përkeqësimi i kushteve të ekonomisë, plus rritja e madhe e taksave, pra një tronditje e vërtetë..." - thotë ai

Por biznesmeniStjuart Mills e sheh rënien ekonomike si një mundësi për t bërë biznes. Ai ka shërbim me internet, që i lejon klientët ta marrin postën në pab-et e tyre lokale.

"Kompania ime synon t'i çojë njerëzit më shpesh nëpër pab-e, por edhe t'i ndihmojë pab-et ta forcojnë pozitën në zemër të komuniteteve të tyre lokale."

Megjithatë, duket se në Britani shija po ndryshon. Baret e verës, janë tani një prirje e re që duket se po i konkurojnë pab-et.

Por dashuria e britanikëve për birrën dhe dita e rrallë e verës atje, i bën pronarët e pabeve të shpresojnë se biznesi i tyre nuk do të thahet kurrë plotësisht. //mm//


XS
SM
MD
LG