Lidhje

Rusia bie dakord për ashpërsimin e sanksioneve kundër Iranit


Presidenti rus Dimitri Medvedev ka rënë dakord për ashpërsimin e sanksioneve kundër Iranit me qëllim ndalimin e programit për prodhimin e armëve bërthamore nga Teherani. Udhëheqësi rus u takua me presidentin amerikan Barak Obama në Nju Jork.

Rusia ka lidhje të forta me Iranin, dhe ka përsëritur kundërshtimin e saj për vendosjen e sanksioneve kundër shtetit islamik. Por pas bisedimeve me presidentin Obama gjatë punimeve të takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zoti Medvedev, duke folur përmes një përkthyesi, dukej se e kishte zbutur qëndrimin e Rusisë.

"Sanksionet rrallëherë sjellin rezultate produktive. Por në disa raste, sanksionet janë të pashmangshme."

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, dhe katër vende tjera, pritet të fillojnë bisedimet me Iranin më një tetor mbi programin bërthamor të këtij vendi. Presidenti Obama dëshiron të vendosë sanksione më të ashpra kundër Iranit nëse negociatat nuk janë të suksesshme.

"Pastaj ne duhet të marrim veprime shtesë dhe vendosja e sanksioneve serioze shtesë mbetet mundësi e hapur."

Zoti Medvedev tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia dhe partnerët tjerë në negociata mund të ndihmojnë në përmirësimin e mundësisë për bisedime të suksesshme duke bërë oferta nxitëse të pa dhënë hollësi në mënyrë që Irani të bindet.

"Detyra jonë është të krijojmë një sistem të tillë nxitës që do të lejojë Iranin të vendos për programin paqësor bërthamor të tij, por në të njejtën kohë të parandalojë atë nga prodhimi i armëve bërthamore."

Para takimit, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se problemi me programin bërthamor të Iranit do të jetë tema kryesore e bisedimeve e presidentit Obama kur të dy udhëheqësit do të takoheshin.

Presidenti e ka mohuar që vendimi i tij i javës së kaluar për të heq dorë nga plani për një mburoj mbrojtëse nga raketat në Evropën Lindore kishte lidhje me përpjekjet për të marr mbështetjen e Moskës mbi çështjen e Iranit. Pas takimit në Nju Jork, presidenti rus e cilësoi të arsyeshëm deklarimin e presidentit Obama për sistemin mbrojtës kundër raketave, dhe tha se ky vendim i kam marr parasysh shqetësimet e Moskës.

Presidenti Obama gjithashtu tha se ai dhe zoti Medvedev besojnë se ata mund të arrijnë një marrëveshje para Janarit për reduktimin e aresenalit bërthamor të vendeve të tyre.

"Besojmë se ne mund të përmbushim afatet që kemi vendosur vetë për të arritur një marrëveshje për një reduktim thelbësor të raketave me mbushje bërthamore nga fundi i këtij viti."

Sot presidenti Obama do të drejtojë takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi kufizimin e përhapjes së armëve bërthamore, i cili kryesisht është i drejtuar ndaj Iranit.//kk//

XS
SM
MD
LG