Lidhje

FMN: Ekonomia po del nga recesioni me ritme më të shpejta


Fondi Monetar Ndërkombëtar njofton se ekonomia botërore po del nga recesioni me ritme më të shpejta se ç'ishte parashikuar.

Raporti i fundit për parashikimet globale thotë se ekonomia do të rritet me 3.1 për qind në vitin 2010, pasi pësoi tkurrje prej 1 për qind këtë vit.

Rritja është më e madhe se parashikimi i korrikut, kur u fol për ritme në masën 2.5 për qind. FMN-ja vlerëson si faktorë për këtë përmirësim uljen e normave të interesit dhe programet qeveritare në ndihmë të ekonomisë.

Ky parashikim bëhet ndërkohë që ka sinjale të përziera nga ekonomi të fuqishme botërore. Departamenti amerikan i Tregtisë njoftoi sot se shpenzimet e konsumatorëve në Shtetet e Bashkuara u rritën me ritmet më të larta në 8 vjet, megjithëse të ardhurat nuk e justifikojnë një rritje të tillë.

Ndërkohë euro-zona po përjeton ritmet më të larta të papunësisë në 10 vjetët e fundit. Sipas një raporti të ri, kjo zonë e përbërë nga 16 vende që përdorin monedhën euro, kishte në gusht mbi 15 milionë vetë, ose 9.6 për qind të popullsisë pa punë. //ii

XS
SM
MD
LG