Lidhje

GNK: Zgjedhjet e 15 nëntorit duhet të sigurojnë qeverisje legjitime në Shtërpcë


Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se nëse zgjedhjet vendore të 15 nëntorit nuk sigurojnë një qeverisje legjitime për Shtërpcën, kjo komunë ku marrëdhëniet ndëretnike i kanë mbijetuar luftës, rrezikon të bëhet viktimë e mosmarrëveshjeve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Në raportin e tij të fundit, Grupi i Krizave përqendrohet thotë se kjo komunë, një nga enklavat më të mëdha serbe në jug të Kosovës, dëshmon se komunitetet serbe mund të mbrojnë interesat e tyre brenda rendit kushtetues të Kosovës.

Por kjo organizatë shton se mosbesimi i serbëve tek qeveria e Kosovës është rritur që pas shpalljes së pavarësisë, Beogradi ka ngritur regjimin komunal paralel që nga maji 2008 dhe qeveria e Kosovës nuk i ka dhënë Shtërpcës kompetenca të gjera komunale, siç parashikohet për zonat me shumicë serbe në planin Ahtisaari.

Kjo situatë vë në rrezik perspektivën ekonomike dhe marrëdhëniet e mire mes serbëve dhe shqiptarëve. Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se qeveria serbe duhet të nxisë pjesëmarrjen në zgjedhje të serbëve të Shtërpcës më 15 nëntor dhe aktorët ndërkombëtarë duhet t'u shpjegojnë serbëve përfitimet nga ky votim.

Ndërkohë sot pasdite në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit do të debatojë mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban ki Moon për Kosovën. //mm//

XS
SM
MD
LG