Lidhje

Kritika ndaj politikave të BE-së për ndihmat e jashtme

  • Elaine Cobbe

Një organizatë studimore prestigjioze ka kritikuar politikat e ndihmave të jashtme të Bashkimit Evropian. Në një raport të publikuar dje, Këshilli i Evropës për Marrëdhëniet me Jashtë thotë se BE-ja nuk i mban gjithmonë premtimet dhe përdor modele të vjetëruara për programet e reja të ndihmave. Raporti fajëson edhe luftën për pushtet mes vendeve anëtare për mungesën e efikasitetit. Korrespondentja Elein Kobi sjell hollësi nga Parisi.

Një raport i ashpër i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë thotë se Bashkimi Evropian duhet të rishikojë me seriozitet mënyrën se si e zbaton politikën për ndihmat e jashtme.

Bashkimi Evropian e konsideron veten një fuqi civile me shumë ndikim, por studimi i zhvilluar ka arritur në rezultate të ndryshme.

BE-ja ka buxhetin më të madh të ndihmave në botë. Por raporti thotë se ky buxhet nuk po shpenzohet si duhet, për shkak të praktikave të vjetëruara dhe rivaliteteve mes disa prej 27 vendeve anëtare.

Një nga autorët e studimit, Daniel Korski, thotë se shumë vende anëtare të BE-së bëjnë premtime, por nuk i mbajnë ata.

“Vendet e BE-së janë përkushtuar të gjitha të japin një numër policësh dhe ekspertësh civilë për misionet e Komisionit Evropian. Por kur BE-ja vendos të vërë në zbatim së bashku një mision të tillë, bëhet shumë e vështirë sigurimi i personelit për këto misione. Pra, ndërkohë që në teori BE-ja ka kaq shumë policë dhe ekspertë të regjistruar, ajo nuk është në gjendje të mbushë pozitat e misioneve të veta. Kjo është qartë një shkelje e premtimit që vendet e BE-së i kanë bërë njeri tjetrit.”

Zoti Korski thotë se BE-ja ende po përdor modele të vjetëruara. Programi i përdorur në Ballkan është konsideruar i suksesshëm, thotë ai, por raporti gjen se i ashtëquajturi format i Bosnjës nuk është zbatuar në shumë zona të tjera, duke përfshirë Afrikën.

Zoti Korski thotë se luftërat për pushtet mes Komisonit Evropian dhe Këshillit Evropian e kanë dobësuar programin e ndihmave. Por ky nuk është i vetmi problem. Mënyra se si vendet e veçanta i trajtojnë misionet e tyre mund të jetë po ashtu problematike.

“Ata favorizojnë misionet që i kanë për zemër; nuk janë të interesuar në misione që nuk i propozojnë vetë. Ka pazarllëqe të cilat mund të ishin të dobishme në politikat bujqësore, por janë shumë problematike kur bëhet fjalë për misionet në zona të rrezikshme.”

Raporti thotë se BE-ja nuk po i shfrytëzon aftësitë e veta në maksimum. Zoti Korski thotë se Evropa duhet të jetë më e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj civile dhe t’i kushtojë asaj të njëjtën vëmendje sikurse atyre ushtarake.

Autorët thonë se shpresojnë që ky raport të shihet si mundësi që BE-ja ta rishqyrtojë politikën e saj të ndihmave të jashtme.

Deri tani Brukseli nuk ka pasur ndonjë reagim ndaj raportit.

XS
SM
MD
LG