Lidhje

Afganistan: Të pavlefshme votat në 210 qendra votimi


Një komision i mbështetur nga OKB-ja që po heton lidhur me akuzat për manipulime në zgjedhjet presidenciale në Afganistan urdhëroi Komisionin e Pavarur elektoral të zhvlerësojë rezultatet në 210 qendra votimi.

Në një deklaratë të publikuar sot, Komisioni Elektoral i Ankesave thotë se gjeti prova të qarta dhe të besueshme për manipulime.

Në raportin e vet, Komisioni citon shembuj të mashtrimeve, që përfshijnë "shenja uniforme" në 100 për qind të fletëve të votimit që u mblodhën në disa qendra, mungesë materialesh në një rast, si dhe një medotë për nxjerrjen e rezultateve të votimeve, që "u ndryshua për të shtuar 300 vota".

Komisioni i OKB-së e ka urdhëruar Komisionin e Pavarur të Zgjedhjeve të zhvlerësojë atë që ai e cilësoi "një përqindje e caktuar" e votave të kandidatëve në 6 kategori, por nuk dha hollësi.

Rezultatet paraprake nga zgjedhjet e 20 gushtit treguan se presidenti Hamid Karzai kishte 54 përqind të votave. Sfiduesi i tij kryesor, ish ministri i jashtëm Abdullah Abdullah kishte 28 përqind. Por sipas rezultateve të Komisionit të Pavarur të Zgjedhjeve, një grup me bazë në SHBA, Presidenti Karzai ka fituar më pak se 50 për qind të votave të nevojshme për përsëritjen e zgjedhjeve. Në deklaratën e Komisionit thuhet se përllogaritjet tregojnë se zoti Karzai ka fituar rreth 48,3 për qind të votave. //ad//

XS
SM
MD
LG