Lidhje

Nato diskuton Afganistanin dhe sistemin amerikan të raketave


Ministrat e mbrotjes së Natos filluan një takim jo zyrtar në kryeqytetin sllovak të Bratisllavës për të diskutuar Afganistanin dhe shtimin e mundshëm të trupave në vendit e trazuar. Zyrtari i lartë i Natos Fogh Rasmussen tha se aleanca mirëpret planet e reja të presidentit Barak Obama për sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropë dhe shpreson ta integrojë atë plotësisht në Nato.


Sekretari i Përgjithshëm i Natos Anders Fogh Rasmussen tha se sistemi i riorganizuar nga presidenti Obama, që synon mbrojtjen e Perëndimit nga kërcënime në të ardhmen nga vende si Irani, do t'u japë evropianëve dhe amerikanëve mbrojtje kundër një kërcënimi real.

Ai foli sot me gazetarët pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts informoi ministrat e mbrojtjes të Natos për planin e zotit Obama për të rikonfiguruar sistemin e hartuar gjatë administratës Bush.

Fogh Rasmussen tha se aleanca do të punojë me Shtetet e Bashkuara për të integruar plotësisht sistemin në strukturat e Natos.

"Ministrat përshëndetën faktin se përqasjeja e re amerikane e vë sistemin e mbrotjes në Evropë më shumë në kontekstin e Natos. Kjo është mirë për aleancën, për solidaritetin dhe për mendimin tim është e rëndësishme për mbrojtjen e Evropës. Sistemi që do të instalohet brenda dy vjetësh do t'u japë evropianëve dhe amerikanëve mbrojtje kundër një kërcënimi real dhe në rritje nga raketat".

Komandanti i lartë amerikan në Afganistan mori pjesë në takimin e sotëm të Natos që u përqëndrua në mënyrat për të bërë më të përgjegjëshme forcat afgane të sigurisë për luftën.

Zyrtarët thanë se gjenerali Stanley McChrystal informoi ministrat për pikëpamjen e tij për luftën në Afganistan.

Një dokument i shpërndarë për median përfshin në vija të përgjithshme miratimin zyrtar të Natos për planet që ushtrisë afgane dhe zyrtarëve të policisë t'i jepet kontroll mbi luftën që ka hyrë në vitin e saj të nëntë.

Planet nuk kërkojnë specifikisht ndonjë tërheqje të 104 mijë trupave amerikane dhe të Natos që do të jenë në Afganistan deri në fund të vitit.

Të përballur me një rritje të numrit të vdekjeve dhe ulje të mbështetjes publike për luftën, disa zyrtarë të Natos kanë dhënë sinjale se nuk do të kërkojnë që vendet e tyre të dërgojnë më shumë trupa derisa administrata Obama të bëjë të qarta planet e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos tha se megjithë efektet e angazhimit, kostoja e mosveprimit do të ishte shumë e lartë.

"Komuniteti ndërkombëtar duhet të investojë në forcimin e kapaciteteve të Afganistanit për të luftuar vetë luftën, për ta bërë të pamundur për terroristët të lulëzojnë përsëri në Afganistan, pasi vendi nuk është më strehë për terroristët".

Sekretari Gejts tha se është i inkurajuar nga angazhimi i aleatëve të Natos për luftën në Afganistan ndërkohë që administrata Obama është ende duke shqyrtuar mundësinë e dërgimit të trupave shtesë.

"Vendet e tjera kanë dislokuar më shumë se 35 mijë trupa në Afganistan dhe pikëpamjet e tyre janë të rëndësishme për ne ndërkohë që diskutojmë mbi rrugën përpara", tha zoti Gejts.

I sigurova aleatët se Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të tërhiqen nga Afganistani tha sekretari amerikan i mbrojtjes. //rd//


XS
SM
MD
LG