Lidhje

Analistë komentojnë mbi kredibilitetin e  gjykatës së Hagës në çështjen e Karaxhiçit


Radovan Karaxhiçi përballet me 11 akuza për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në konfliktin e viteve 1992-95 në Bosnjë. Ai dhe udhëheqësi ushtarak, gjenerali Ratko Mlladiç të cilit ende si dihet vendndodhja, janë akuzuar për urdhërimin e asajë që konsiderohet të jetë mizoria më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore; masakrimin e rreth 8, 000 burrave dhe djemve mysliman në enklavën e mbrojtur nga OKB të Strbrenicës në korrikun e vitit 1995.

Karaxhiçi u arrestua në Beograd në korrikun e 2008 dhe u ekstradua në Hagë. Gjykimi i tij filloi muajin e kaluar. Karaxhiçi kërkoi të luante edhe rolin e avokatit mbrojtës por gjykata i dha atij një avokat të kualifikuar. Gjykimi i tij do të rifillojë në muajin mars, duke i ofruar mbrojtjes më shumë kohë për tu përgatitur.

Një ekspert për çështjet e Bosnjës në universitetin Kingston të Londres, Marko Hoare, thotë se gjykata e Hagës kërkon të menjanojë atë që ndodhi gjatë gjykimit të ish presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç.

“Qëllimisht, Millosheviçi u mundua të ç’vlerësojë gjykatën përmes qendrimit të tij grotesk, duke refuzuar ta njohë institucionin dhe duke përdorur atë si platformë për t’ju drejtuar audiencës së tij të brendëshme. Ai u provua të jetë përçarës dhe ja arriti të ngadalësonte gjykimin e tij deri në atë masë saqë vdiq para se të përfundonte çështja e tij.”

Paul Uilliam, ish këshilltar ligjor për qeverinë e Bosnjës si dhe ekspertë të tjerë thonë se gjykata ndodhet para një sprove të madhe në gjykimin e Karaxhiçit.

“Gykimi i Karaxhiçit është shumë i rendësishëm për kredibilitetin e gjykatës sepse ende janë në procesin e proçedimit të njërit prej tre njerëzve që orkestruan luftën: Millosheviçi vdiq ndërkohë që ishte nën arrest, tani ata kanë Karaxhiçin dhe gjenerali Ratko Mlladiç është ende i lirë mesa thuhet në Republikën Serbe. Kështu që prej ketyre të treve, Karaxhiçi është i vetmi ndaj të cilit mund të arrihet gjetja e tij fajtor dhe të nxirret në pah gjithçka, të ndërtohet një historik real i plotë për konfliktin jugosllav.”

Padyshim, thotë Uilliams, Karaxhiçi do të mundohet të tregojë historinë që anon prej tij.

“Pres që Radovan Karaxhiçi të mundohet të hedh dritë në përfshirjen e pjestarëve dhe vendeve të rendësishme të komunitetit ndërkombëtar në atë çfarë po ndodhte në Jugosllavi. Nuk mendoj se ngrihet pyetja e bashkëfajsisë në këto krime, por ai do të ngrejë pyetjen se si ndaj Radovan Karaxhiçit ngrihen akuza gjenocidi dhe krime kundër njerëzimit kur të gjithë të derguarit ndërkombëtar po negocionin me Karaxhiçin, kur në tryezat e bisedimeve flitej për arritjen e paqes, kur ish presidenti Xhimi Karter shkoi në Sarajevë për të negociuar ndalimin e zjarrit. Pra Karaxhiçi mund të shtrojë pyetjen se si mund të akuzohet si përgjegjës për gjenocidin.”

Sikurse theksojnë ekspertët, një ish zyrtar kyç seb i Bosnjës ende mbetet i lirë, gjenerali Ratko Mlladiç. Aleks Uiting, ish prokuror në gjykatën e Hagës, beson se Mlladiç ndodhet në Serbi.

“Ratko Mlladiç mbetet mjaft popullor në Serbi. Sipas mendimit tim, qeveria serbe ka llogaritur se është më shumë në interes të saj që të lejojë atë të mbetet i kërkuar sesa ta arrestojë. Ata po peshojnë popullaritetin e tij në Serbi përkundrejt presionit që ndihet nga komuniteti ndërkombëtar. E vetmja menyrë që ai të mund të kapet është nëse komuniteti ndërkombëtar qendron i palëkundur në kërkesën për kapjen e tij dhe nëse vë kushte të mëtejshme për bashkëpunim dhe asistancë përkundrejt kapjes së Mlladiçit. Nëse nuk ndodh kjo, nuk besoj se Mlladiç do të dalë ndonjëherë para gjykatës.”

Analistë të tjerë thonë se gjykimi i Karaxhiçit dërgon mesazh të fortë për udhëheqësit ndaj të cilëve janë ngritur akuza për krime lufte. Mund të marrë kohë, thonë ata, por në fund të gjithë do të arrestohen dhe përballen me drejtësinë për krimet e tyre. //kh//

XS
SM
MD
LG