Lidhje

Obama: Lajmi për papunësinë pozitiv, por rimëkëmbja do të marrë kohë


Presidenti amerikan Barak Obama i mirëpriti lajmet për zbutjen e nivelit të papunësisë në vend, por tha se rimëkëmbja ekonomike do të marrë ende kohë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain nga Shtëpia e Bardhë, presidenti do t’a njoftojë planin e tij për të nxitur rritjen e vendeve të punës të martën.

Raporti i papunësisë që u publikua dje nga Departamenti i Punës ishte më i miri që nga viti 2007. 11 mijë vende pune u humbën gjatë muajit nëntor, shumë më pak seç pritej, dhe papunësia ra nga 10,2 përqind në tetor në 10 përqind muajin e kaluar.

Gjatë një forumi publik në qytetin lindor të Allentaun, të shtetit Pensilvania, presidenti Obama i quajti shifrat e reja një shenjë të mirë për ditë më të begata që do të vijnë. Megjithatë, ai tha se prirjet pozitive nuk u japin të ardhura të papunëve.

“Dua ta bëj të qartë se ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë. Mendoj se çdo punë e humbur është humbje e madhe.”

Në Kongresin amerikan, republikani kryesor në dhomën e përfaqësuesve, udhëheqësi i pakicës Xhon Boner, e përshëndeti lajmin me rezerva.

“Çdo rënie në nivelin e papunësisë është inkurajuese. Por një rimëkëmbje me papunësi dhe një nivel në mbi 10 përqind nuk ishin premtimet që iu dhanë popullit amerikan.”

Zoti Obama i tha audiencës në qytetin Allentaun se ai do të mbajë një fjalim të martën për stimulimin e vendeve të punës.

“Të martën do të flas më me hollësi rreth ideve që do t’i dërgoj kongresit për të ndihmuar në nxitjen e sektorit privat për të filluar punësimin dhe për t’i kthyer amerikanët në punë.”

Idetë e presidentit thuhet se do të përfshijnë dërgimin e parave të pushtetit federal tek qeveritë shtetërore dhe lokale për të parandaluar shkurtimet e tjera të vendeve të punës, dhe pagimin e më shumë njerëzve për të rinovuar shtëpitë e tyre me materiale që kursejnë energji.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë sugjeroi se paratë që ishin ndarë fillimisht për aksionet problematike të firmave financiare mund të përdoren për krijimin e vendeve të punës. Por zyrtari e përjashtoi mundësinë e një tjetër plani stimulues si nisma prej 787 miliard dollarësh që u miratua në fillim të këtij viti.

Zoti Obama zhvilloi një takim për vendet e punës të enjten, ku u takua me udhëheqës të biznesit, punës, arsimit dhe fushave të tjera për të mbledhur idetë e tyre mbi mënyrën e kthimit të amerikanëve në punë.

XS
SM
MD
LG