Lidhje

Analistët vënë në pikpyetje strategjinë amerikane të tërheqjes nga Afganistani


Vendimi i presidentit Obama për të dërguar 30 mijë trupa shtesë në Afganistan dhe në të njëjtën kohë njoftimi se tërheqja e ushtarëve amerikanë do të fillojë në mesin e vitit 2011 ngre pikëpyetje thonë analistët, rreth angazhimit amerikan në rajon. Analistët thonë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera duhet të përdorin stimuj ekonomikë në përpjekje për të bindur udhëheqësit afganë të çrrënjosin korrupsionin mjaft të përhapur në vendin e tyre.

Në fund të një periudhe tre mujore shqyrtimi, vendimi i presidentit Obama për të dislokuar 30 mijë trupa shtesë në Afganistan dhe caktimi i një date për tërheqje përbën një politikë që duket se identifikon fillimin e fundit të luftës.

"Trupat shtesë amerikane dhe ato ndërkombëtare do të na bëjnë të mundur të shpejtojmë dorëzimin e përgjegjësive tek forcat afgane dhe fillimin e largimit të forcave tona jashtë Afganistanit në korrik të vitit 2011".

Në fjalimin e tij, presidenti hartoi një strategji daljeje në mënyrë që forcat amerikane dhe të Natos të mund të fillojnë, pas 18 muajsh, dorëzimin e sigurisë tek forcat afgane.

Megjithatë kjo kohë e shkurtër mund të shtojë shqetësimet në Afganistan dhe Pakistan se Shtetet e Bashkuara do ta abandonojnë rajonin ashtu siç bënë në vitin 1989 kur sovjetikët u larguan nga Afganistani.

Frederick Kagan është historian për çështjet ushtarake në Institutin American Enterprise.

"Njoftimi i një kufiri kohor fatkeqësisht përforcon mesazhin dëmtues në rajon rreth paaftësisë sonë për të qëndruar".

Zyrtarët e administratës thanë se kufiri kohor për fillimin e tërheqjes është elastik dhe se do të jetë në varësi të kushteve në terren para se të fillojë një tërheqje në përmasa të mëdha.

Disa analistë thonë se ky është një sinjal për qeverinë afgane se Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë aty për dekada të tëra.

Anthony Cordesman është me Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike.

"Ai foli rreth angazhimit maksimal, fillimit të tërheqjes, shtimit të presionit mbi afganët dhe pakistanezët për të marrë në dorë misionin, por nuk mund të ketë kufi kohor, nuk mund të ketë standarte, apo afate artificial larg realitetit në terren".

Të tjerë thonë se do të duhen disa vite që shtimi i trupave të sjellë rezultat, pasi do të duhet po aq kohë për stërvitjen e një numri të madh të forcave afgane të sigurimit.

Michael O’Hanlon është analist në Institutin Brookings.

"Në se zoti Obama do të sigurojë një mandat të dytë, ai tha kohët e fundit se nuk do të donte tia linte këtë problem pasuesit të tij. Do të jetë e vështirë të përfundojë lufta brenda shtatë vjetësh".

Në një fjalim në akademinë Ushtarake, presidenti Obama ishte specifik në caktimin e një standarti për një strategji më të efektshme civile në Afganistan.

"Kjo përpjekje duhet të jetë e bazuar në performancë. Ditët e çeqeve të bardhë kanë marrë fund".

Strategjia e presidentit Obama varet nga bashkëpunimi me qeverinë afgane të presidentit Hamid Karzai.

Analistët thonë se vënia e kushteve për ndihmën financiare për qeverinë afgane janë mënyra më e mirë për të bindur zotin Karzai të luftojë korrupsionin dhe të ketë një qeveri të efektshme.

“Komuniteti ndërkombëtar i jep Afganistanit është pothuajse të gjithë buxhetin shtetëror dhe ne nuk e kemi përdorur këtë avantazh si duhet në të kaluarën”.

Partneriteti me Pakistanin është elementi i tretë i rëndësishëm i strategjisë së presidentit Obama. Udhëheqësit talebanë dhe të al-Kaidës thuhet se fshihen në Pakistan.

"Ne do të forcojmë kapacitetin e Pakistanit për të vënë në shënjestër këto grupe që kërcënojnë vendet tona dhe e kemi bërë të qartë se nuk mund të tolerojmë strehë për terroristët vendi i të cilëve dihet dhe synimet e të cilëve janë të qarta".

Zyrtarët pakistanezë kanë reaguar me rezerva për shtimin e trupave dhe strategjinë e daljes nga Afganistani.

Trupat shtesë do të fillojnë të dislokohen në Afganistan para fundit të këtij muaji. Zyrtarët e administratës thonë se gjithë dislokimi do të përfundojë deri në mesin e vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG