Lidhje

Presidenti Obama propozon nisma që synojnë punësimin e amerikanëve


Disa raporte ekonomike tregojnë se sektori amerikan i fabrikave po përmirësohet por punësimi ende mbetet për të dëshiruar. Një grup biznesi thotë se nga anketimi i disa manaxherëve të fabrikave doli se pritet një rritje prej 5,7 përqind në shitjet e vitit që vjen ndërkohë që rënia e vlerës së dollarit ka shtuar eksportet.

Ata gjithashtu presin që rritja e ekonomisë globale të shtojë kërkesat për produkte të prodhuara në Amerikë. Ndërkohë një anketë tjetër tregon se kompanitë më të mëdha amerikane nuk presin që punësimi të përmirësohet për gjashtë muaj, ndërkohë që për disa të tjerë thonë se situata do të përkeqësohet. Presidenti amerikan Barak Obama po propozon një seri nismash që synojnë punësimin e amerikanëve.

Presidenti Barak Obama thotë se administrata e tij e ka drejtuar ekonominë amerikane larg nga ajo që mund të kishte qënë depresion. Por ai thotë se 7 milion amerikanë kanë humbur punën që nga fillimi i recesionit dy vite më parë.

"Është një numër i madh që tregon jo vetëm thellësinë e gropës nga e cila ne duhet të ngjitemi, por një tragjedi njerëzore që vazhdon." - tha presidenti

Presidenti amerikan ishte në insitutin Brokings këtu në Uashington ku parashtroi strategjinë e tij prej tre pjesësh për lehtësimin e papunësisë që ka arritur shifrën prej 10 përqindësh.

E para, presidenti propozoi thellimin e shkurtimit të taksave për bizneset e vogla të përfshirë në paketën stimuluese prej 787 miliard dollarësh. Ai tha se sipërmarrësit kanë krijuar 65 pëqind të vendeve të reja të punës në Amerikë në 15 vitet e fundit.

"Po ashtu ka kompani që nxisin novacionet, duke prodhuar 13 herë më shumë novacione për punëtor sesa kompanitë e mëdha. Dhe ja vlen të mbahet mend se nganjëherë një kompani e vogël bëhet e madhe dhe ndryshon botën." - shtoi presidenti Obama

Presidenti bëri thirrje për shuma të pacaktura shpenzimesh për projektet e infrastrukturës...punë në rrugë, ura, sistemet ujore, rrjetet e internetit si dhe të është quajturat projekte të energjisë së pastër.

"Ka nevoja për rregullime në infrastrukturë që angazhojnë kompani të sektorit privat dhe kjo hap vende pune në mbarë vendin. Deri tani rreth 10 mijë projekte janë financuar përmes paketës së stimulimit ekonomik."

Presidenti tha se do ti kërkonte Kongresit stimuj të rinj për konsumatorët që ata ti bëjnë shtëpitë e tyre që të jenë më efikase përsa i përket energjisë:

"Dihet që hap vende të reja pune, kursen para për familjet dhe redukton ndotjet që kërcënojnë mjedisin tonë."

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se një pjesë e ndihmës për bizneset e vogla vjen nga fondet e caktura fillimisht për të stabilizuar sistemin financiar dhe nxitur bankat që të japin hua përsëri.

Presidenti thotë se Programi i Lehtësimit të Aseteve ka ndihmuar në parandalimin e falimentimit të sistemit financiar. Por ai thotë se është koha që ky program të përfundojë:

"I hartuar me nxitim, programi i administratës së shkuar kishte probleme dhe ne punuam shumë për të ndrequr gabimet dhe për ta menaxhuar ashtu siç duhet. Mund të them se plani i shërbeu pikësynimit origjinal me një kosto shumë më të ulët sesa pritej."

Deparamenti i Thesarit thotë se pret që të marrë 200 miliard dollarë , shumë kjo e dhënë bankave që rrezikoheshin, më shpejt sesa parshikohej.Presidenti Obama sugjeron se këto fonde mund të ndihmojnë për programet për krijimin e vendeve të reja të punës dhe mundësisht reduktimin e borxheve të vendit që kapin shumën 12 trilion dollarë. //mm//


XS
SM
MD
LG