Lidhje

Viti 2009 dhe procesi izraelito-palestinez i paqes


Gjatë vitit 2009, procesi i paqes ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve vazhdoi të mbetet i ngrirë. Të dyja palët hyjnë në vitin 2010 në një ballafaqim të ngurtë lidhur me vendbanimet izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, ndërkohë që janë rritur tensionet lidhur me statusin e Jeruzalemit.

Ja si filloi viti 2009: Forcat izraelite ndërmorën një sulm të fuqishëm në Rripin e Gazës, me synimin për të mos lejuar militantët palestinezë të godisnin me raketa Izraelin.

Numri i të vrarëve – 1000 vetë, vetëm 13 izraelitë, të tjerët palestinezë, shumë prej të cilëve civilë.

Në mars, ish-kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i njohur për qëndrimin e rreptë, u kthye në skenë. Ai mori në dorë qeverinë me premtimin për të sjellë paqe duke fuqizuar ekonominë palestineze, por pa u përqendruar tek negociatat për një shtet palestinez.

Shtetet e Bashkuara, nën administratën e Presidentit Obama filluan një përpjekje të re për paqe, duke caktuar zotin George Mitchell si të dërguar të posaçëm në përpjekjet për të rikthyer Izraelin dhe palestinezët në tryezën e bisendimeve. Përpjekjet e tij nuk dhanë rezultat.

Palët takoheshin para kamerave, por përparimi ishte i papërfillshëm.

Me zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, udhëheqësit palestinezë, përfshirë kryeministrin Salaam Fayyad, thanë se ishte e pamundur të zhvilloheshin bisedime.

“Ne duam rifillimin e një procesi politik me kredibilitet, një proces të fortë dhe të aftë për të realizuar kërkesën tonë kryesore – ndalimin e pushtimit,”
thotë Fayyad.

Udhëheqja palestineze mbetet e përçarë, ndërmjet grupit të moderuar Fatah që kontrollon Bregun Perëndimor dhe grupit militant islamik Hamas që kontrollon Gazën. Në Bregun Perëndimor, Fatahu po humbet mbështetjen në radhët e popullatës së acaruar nga pushtimi dhe vendbanimet izraelite.

Presidenti Obama zgjoi shpresat e shumë palestinezëve, me thirrjen për të ndaluar zgjerimin e vendbanimeve në fjalimin që mbajti në Kairo.

“Amerika nuk do t’ua kthejë shpinën aspiratave legjitime të palestinezëve për dinjitet, mundësi dhe një shtet të tyrin.”

Por shpresave ua zuri vendin zhgënjimi kur u duk se Shtetet e Bashkuara po pranonin një ngrirje të pjesshme të ndërtimeve nga Izraeli.

Shumë palestinezë shprehën revoltim kur Sekretarja e Shtetit Klinton lavdëroi përpjekjet izraelite:

“Ajo që ka ofruar kryeministri përmes kufizimit të politikës për vendbanimet, për shembull duke thënë se s’do të ketë ndërtime të reja, është një hap i pashembullt krahasuar me periudhat e tjera para negociatave.”

Në nëntor, Izraeli ofroi një ngrirje të përkohëshme të ndërtimeve në vendbanimet e Bregut Perëndimor.

“Sot, Kabineti im autorizoi një politikë frenimi në lidhje me vendbanimet, ku do të përfshihet pezullimi i lejeve dhe ndërtimeve të reja në Jude dhe Samaria për një periudhë 10 mujore,”
tha Kryeministri Netanyahu.

Por kolonët hebrenj ishin një forcë e madhe në bllokun që e solli Netanyahun në pushtet. Ata i kanë bërë sfidë vendimit, duke sinjalizuar probleme të mundshme politike gjatë vitit 2010.

Akiva Eldar është një ndër analistët që shkruajnë për gazetën Haretz në Tel Aviv. Ai thotë se për të kapërcyer këtë ngecje të procesit çdo përpjekje e Izraelit duhet të shihet si e sinqertë.

“Nuk pres nga arabët asnjë hap që nuk pres apo nuk ua kërkoj izraelitëve. Procesi duhet të ketë hapa reciprokë dhe simetrikë.”

Megjithëse viti 2009 po përfundon pa bomba e raketa, hendeku mes izraelitëve dhe palestinezëve mbetet më i thellë se kurrë. //ii

XS
SM
MD
LG