Lidhje

Shqipëri: Partitë reagojnë ndaj projektrezolutës së KE


Në Shqipëri dy partitë kryesore reaguan sot ndaj një projektrezolute të dy raporterëve të Këshillit të Europës e cila do të shtrohet për miratim javën e ardhshme në Strasburg.

Projektrezoluta shpreh shqetësim për situatën politike në Shqipëri duke kërkuar që qeveria të ngrejë një komision hetimor dhe opozita të hyjë në parlament si dhe propozon një tryezë të partive politike dhe ndërmjetësim nga ana e presidentit Bamir Topi.

Kryetari socialist Edi Rama tha sot se opozita është e gatshme për dialog dhe arritjen e një marrëveshje mes palëve që të mundësojë ngritjen e një komisioni hetimor të kryesuar, dhe me shumicë nga opozita, duke nënvizuar se ky komision duhet të veprojë pa asnjë kushtëzim që kufizon liri e të drejta kushtetuese të panegociueshme, duke ju referuar kështu hapjes së kutive të votimit.

Zoti Rama theksoi se pa u arritur kjo, opozita nuk do të heqë dorë nga protestat.

Ndaj deklaratave të tij dhe projekt rezolutes reagoi kryetari i grupit parlamentar të partisë demokratike Astrit Patozi sipas të cilit dialogu me opozitën duhet të zhvillohet në rrafshin institucional dhe jo në rrugë.

Zoti Patozi përsëriti se e djathta në pushtet është e gatshme t'i jap opozitës shumicën në një komision parlamentar që të hetojë zgjedhjet. Hetim i cili duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit, saktësoi zoti Patozi.

Shumica e konsideron hapjen e kutive shkelje të kushtetutës dhe tejkalim të shtetit të së drejtës. //ii

XS
SM
MD
LG