Lidhje

Bagdad: Të paktën 18 të vrarë dhe 80 të plagosur nga një sulm vetëvrasës


Autoritetet irakiane thonë se të paktën 18 veta u vranë dhe 80 të tjerë u plagosën nga një sulm vetëvrasës kundër një laboratori të policisë në Bagdatin qëndror.

Policia thotë se bomba shpërtheu sot, duke shkaktuar dëme të mëdha në zyrën kriminalistike të qeverisë në lagjen Karrada të Bagdatit.

Zyrtarët thanë se shumë prej viktimave ka të ngjarë të jenë oficerë policie.

Ambasadori amerikan në Irak, Christopher Hill, i dënoi sulmet e fundit dhe i bëri thirrje popullit irakian që të bashkohet në luftën kundër të gjitha formave të dhunës dhe përpjekjeve për frikësim.

Shpërthimi ndodh një ditë pasi autorë sulmesh vetëvrasëse goditën 3 hotele të Bagdatit, ku qëndrojnë të huajt. Të paktën 36 veta u vranë dhe 71 të tjerë u plagosën.

Zyrtarët irakianë thonë se autorët e sulmeve të djeshme ngisnin makinat e mbushura me eksplozivë dhe i aktivizuan bombat njëra pas tjetrës para hoteleve Sheraton, Babilon dhe al-Hamra të Bagdadit.

Disa sulme të koordinuara me bomba kanë shpërthyer në Bagdad që nga gushti, duke shkaktuar qindra njerëz. Autoritetet irakiane kanë shprehur shqetësimin se kryengritësit mund të ndërmarrin sulme për të sabotuar zgjedhjet parlamentare të parashikuara për në 7 mars.

Në Uashington, sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton tha se zgjedhjet dhe të tjera hapa drejt një demokracie normale dhe funksionale në Irak, janë arritje që i alarmojnë terroristët. (ze)


XS
SM
MD
LG