Lidhje

Libia ndalon vizat për evropianët, përveç britanikëve


Një zyrtar libian thotë se Libia nuk po u jep më viza udhëtimi shtetasve të Bashkimit Evropian, përveç atyre nga Britania.

Zyrtari i paidentifikuar nuk dha arsye për pezullimin e vizave dhe qeveria libiane nuk ka bërë komente zyrtare për këtë njoftim.

Agjencia e lajmeve Reuters thotë se Ministria e Jashtme italiane e ka konfirmuar vendosjen e kësaj mase.

Gazeta libiane Oea thotë se ndalimi i vizave mbulon zonën e Shengenit, e cila përfshin gjithashtu edhe vendet jo-anëtare të BE-së, Zvicrën, Islandën dhe Norvegjinë.

Ky vendim pason masën e marrë kohët e fundit nga Zvicra për të mos lejuar futjen e 188 libianëve në territorin e vet.

Libia dhe Zvicra janë bllokuar në një mosmarrëveshje diplomatike lidhur me ndjekjen penale të dy biznesmenëve zviceranë nën akuzat për praktika të jashtëligjshme biznesi dhe thyerjen e afatit të vizës.

Të dy ata u ndaluan disa ditë pasi Hanibal Gadafi, djali i udhëheqësit libian Moamar Gadafi, u arrestua në Gjenevë nën akuzat se kishte keqtrajtuar një punonjës.

Akuzat u hodhën poshtë më pas, por Libia u përgjigj me një numër masash hakmarrëse, duke ndërprerë furnizimet me naftë për Zvicrën dhe duke tërhequr depozitat nga bankat zvicerane. (ze)

XS
SM
MD
LG