Lidhje

Greqia e paralizuar nën barrën e grevave kundër masave qeveritare


Në shumë pika karburanti në Athinë, janë shfaqur sot tabela të tilla me fjalët ‘s’ka karburant’, ndërkohë që depozitat janë shterur si rezultat i grevës së punonjësve të doganave. Greva ka penguar shpërndaljen e karburantit dhe kalimin e mallrave të tjerë në pikat doganore, qoftë tokësore apo detare.

Punonjësit e doganave janë hedhur në grevë që të martën, për të kundërshtuar planet e qeverisë për uljen e pagesave mbi rrogën bazë, në kuadër të masave ekonomike për të ulur borxhin masiv.

Ndërkohë që një numër pikash karburanti janë mbyllur për sot, në të tjerat ku ende ka rezerva nafte e benzine, konsumatorët prisnin në radhë të gjata.

Taksistët janë solidarizuar me punonjësit e dobanave, duke vazhduar sot për të dytën ditë brenda javës grevën e tyre në kundërshtim të reformave fiskale që parashikojnë taksa të reja mbi aktivitetin e tyre.

Një rresht i gjatë me taksi të verdha ishte parkuar në rrugët pranë qendrës së Athinës. Taksistët thonë se edhe për momentin kanë një barrë të rëndë pagesash dhe shtimi i taksave do t’u ulë ndjeshëm fitimet:

“Kemi taksa, kemi pagesat e sigurimit të makinës, koston e karburantit. Vetëm kostoja e sigurimit ka arritur 2 mijë euro në vit.”

Këtë javë greva përfshiu edhe personelin e Ministrisë së Financave, të cilët kërkojnë të mos preken pagesat mbi rrogën bazë.

Megjithatë, opinioni publik në përgjithësi duket se e mbështet qeverinë dhe planin e saj ekonomik. Anketat e opinionit tregojnë se grekët besojnë që masat janë të domosdoshme dhe të drejta.

Ndërkaq, punonjës të sektorit shtetëror dhe atij privat kanë njoftuar për grevë 24-orëshe javën e ardhshme. Të gjitha këto greva dhe kundërshti shihen si sfida ndaj vullnetit të qeverisë për të zbatuar plotësisht masat e vështira. //ad//

XS
SM
MD
LG