Lidhje

Diamantët përsëri më të preferuarit nga yjet e Hollivudit në ceremoninë Oskar


Diamantët përsëri më të preferuarit nga yjet e Hollivudit në ceremoninë Oskar
Diamantët përsëri më të preferuarit nga yjet e Hollivudit në ceremoninë Oskar

Pak orë na ndajnë nga ceremonia e çmimeve Oskar, që do të zhvillohet në Hollivud. Pritshmëria është e madhe, dhe kurioziteti i shikuesve është mbërthyer kryesisht në kategorinë ” Filmi më i mirë” ku konkurrojnë filmat “Avatar “ dhe “The hurt locker”. Një përballje që sipas specialistëve, ka kaluar kufijtë profesionalë, po të kemi parasysh që regjizorët e filmave, kanë qenë dikur bashkëshortë mes tyre. Por ajo çka pritet me mjaft interes sot është dhe veshja, si dhe bizhuteritë e përdorura nga yjet në ecjen e tyre tradicionale në tapetin e kuq.

<!-- IMAGE -->

Moda dhe diamantet janë të parat që spikasin në paradën e yjeve, në mbrëmjen e madhe të çmimeve Oscar. Bizhuteritë e përdorura nga yjet në parakalimin e tyre në tapetin e kuq, janë nga më klasiket, e deri tek prirjet më të fundit të modës, nga më të shtrenjtat e deri tek zgjedhjet e bizhuterive jo të vërteta. Françeska Ferrante, specialiste e bizhuterive, kryesisht me diamante thotë:

“Çdo vit në paraqitjen e çmimeve Oscar ne shohim të ekpozuar bizhuteri me diamante që kapin vlerën e rreth 400 milionë dollarëve”.

Vitin e kaluar psh, Anxhelina Zholi përdori si bizhuteri një palë vath të gjatë jeshil nga Lorraine Shwartz, që kombinonin me fustanin e saj të gjatë të zi.

Dhe këtët vit specialistët e modës, parashikojnë që mbrëmjen e sotme, yjet të përdorin bizhuteritë me ngjyra. Megjithatë, diamantet duket se janë të preferuar sërish. Vitin e kaluar, Meryl Streep, Helen Mirror apo Sandra Bullock përdorën diamantë, duke spikatur jo vetëm me modën, por dhe me origjinalitetin e tyre.

Por platini, duket se do të jetë dhe këtë vit në paradën e yjeve. Specialistët mendojnë, se bizhuteritë prej platini i qëndrojnë kohës, dhe shkojnë me çdo zgjedhje gurësh të çmuar me ngjyrë, si sefiri dhe rubini, psh, duke i dhënë karakter dhe sharm personit që i përdor.

Ndërkaq ka personazhe të famshëm që nuk marrin përsipër të përdorin qoftë dhe për një natë, diamantë të vërtetë. Ndaj zgjedhja e tyre është një komplet bizhuterish, i cili nuk është dhe aq i shtrenjtë, por është i bukur dhe në modë. Leah Vail Solof, specialiste thotë:

“Ne kemi parë mjaft yje të Hollivudit, që në parakalimin e tyre mbrëmjen e çmimeve Oscar, vendosin komplete bizhuterish, që janë të punuara bukur dhe që shkojnë me veshjen dhe ambjentin e mbrëmjes. Ata me sa duket nuk duan ta kenë mendjen gjithë mbrëmjen tek bizhuteritë e shtrenjta që mbajnë, por duan të jenë komodë, dhe këtë komoditet ua jep kompleti i bizhuterive shumë më të lira se ato origjinale, por që megjithatë, janë mjaft të bukura për syrin”.

Një zgjedhje e mirë është sipas saj, Lia Sofia, e përdorur nga Emily Blunt, dhe yje të tjerë. Tashmë numërimi i minutave po mbërrin fundin. Yjet e famshëm të Hollivudit, kanë përfunduar grimin, veshjen dhe një pjesë e tyre janë nisur drejt teatrit Kodak, ku gjithshka është gati për ceremoninë e 82-të të çmimeve Oscar. Mbas pak orësh, statuja e artë, do të jetë në duart e fituesve të kësaj mbrëmjeje, të cilët ndoshta do të kthejnë sërish nesër diamantët e marrë hua në qendrat e famshme të diamanteve, por statujën e artë Oscar, do ta kenë përjetë si trofe të arritjeve të tyre profesionale. //iç//

XS
SM
MD
LG