Lidhje

Grupi i Kontaktit për gjendjen në Ballkan - 2001-04-12


Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia përbëjnë të ashtuquajturin Grup të Kontaktit për ish-Jugosllavinë. Grupi nuk është mbledhur që prej tetë muajsh, kështu që takimi i Parisit i krijoi mundësinë zoti Powell për të ritheksuar interesat afatgjata të Washigntonit në rajon. Zoti Powell tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga përgjegjësitë e tyre në Ballkan dhe se nuk kanë caktuar afate për tërheqjen e trupave të tyre nga rajoni.

Ky takim ishte gjithashtu një mundësi për Rusinë që të kthehej përsëri në proçesin ndërkombëtar të marrjes së vendimeve mbi Ballkanin që nga kundërshtimi i saj i fortë ndaj fushatës ajrore të Natos në Kosovë dy vjet më parë.

Në një deklaratë, Grupi i Kontaktit, pas takimit një orësh, dënoi dhunën nga ana e grupeve të armatosura shqiptare në kufirin e Kosovës me Maqedoninë. Por deklarata kërkon gjithashtu që autoritetet maqedonase të krijojnë një shoqëri shumë-entike duke shqyrtuar dhe zgjidhur kërkesat e komunitetit shqiptar.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Grupi i Kontaktit kërkon që Mali i Zi të mbetet pjesë e Jugosllavisë. Në deklaratë lihet të kuptohet se ndihma për Malin e Zi do të jepet vetëm në kuadër të Jugosllavisë. Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi janë caktuar për në 22 prill dhe udhëheqësit e republikës kanë deklaruar se, në rast se fitojnë, do të organizojnë një referendum për pavarësinë e Malit të Zi.

Të gjashtë ministrat dënuan ashpër separatisët kroatë në Bosnjë dhe shprehën mbështetje për zgjedhjet në Kosovë, të cilat, thanë ata, duhet të zhvillohen këtë vit, megjithë faktin se ende nuk është caktuar një datë fikse. Ata u kërkuan të gjitha grupeve etnike në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhje.

Deklarata shpreh gjithashtu kënaqësinë se autoritetet e reja jugosllave po drejtohen nga rruga e bashkëpunimit me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë. Por deklarata nuk e përmend aspak çështjen e ekstradimit të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç, në gjykatën ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara duan që ai të gjykohet në Hagë. Kurse Jugosllavia kërkon që ai të gjykohet në vend. Rusia e përkrah Beogradin në këtë çështje.

Zoti Powell u takua më 12 prill me ministrin e jashtëm rus, Igor Ivanov, për të diskutuar një gamë të gjerë çështjes, përfshirë edhe planet amerikane për zhvillimin e një mbrojtjeje kundër raketave, për të cilën Rusia thotë se do të bëhet shkak e një gare të re armatimesh. Ndërkohë, sekretari Powell mbërriti në Maqedoni për t’u takuar më ministrat e vendeve ballkanike dhe të vendeve fqinje. Më 13 prill ai shkon në Kosovë dhe Bosnjë për të vizituar zyrtarët vendorë dhe trupat amerikane të vendosura atje.

XS
SM
MD
LG