Lidhje

Kosova feston dy vjetorin e hyrjes së forcave të Natos - 2001-06-12


Gjithandej Kosovës sot po shënohet dy vjetori i hyrjes së forcave paqërujatëse të udhëhequra nga NATO-ja të cilat i dhanë fund luftës gati dyvjeçare, fushatës së bombardimeve të Aleancës Veriatlantike si dhe pranisë së forcave serbe të sigurimit në Kosovë. Kjo ditë vlerësohet si ngjarje e madhe historike për popullin e Kosovës dhe po shënohet me manifestime të ndryshme. Krahas kremtimeve përvjetori i hyrjes së forcave paqërujatëse po shfrytëzohet për të vlerësuar edhe të arriturat apo dështimet e misionit paësorë. Zëvendësadminstratori i Kombeve të Bashkuara Gary Methjus tha pas takimit të Këshillit të Përkohshëm Administrativ se gjatë dy vjetëve të fundit janë shënuar zhvillime pozitive në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, por siç u shpreh ai më së shumti të vetë qytetarëve të Kosovës për vendosjen e paqes dhe qëndrueshmërisë. “Dy vitet e fundit kanë qenë mjaft të suksesshme për qytetarët e Kosovës, ndërsa me miratimin e kornizës kushtetuese për vendosjen e një mekanizmi vetëqeverisës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, ky vit mund të jetë i një rëndësie të vecantë”, theksoi zoti Methjus duke nënvizuar se zhvillimi paqësor i Kosovës varet edhe nga bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë i të gjitha komuniteteve etnike.

Misioni i Kombeve të Bashkuara sipas tij është këtu për të krijuar një mjedis të sigurtë ku asnjëri nga komunitet apo grupet etnike të mos ndjehet i përndjekur apo i mohuar. Banorët e Kosovës janë të përkushtuar që të jenë pjesë e Evropës së bashkuar”, tha zoti Methjus.

Edhe udhëheqësit politik të shqiptarëve të Kosovës vlerësuan lartë të arriturat gjatë kësaj periudhe. Kryetari i Lidhjes Demokratike Dr.Ibrahim Rugova pohoi se në Kosovë është arritur një përparim i madh. “Kemi vepruar së bashku me UNMIK-un, qeverinë e përbashkët, tha zoti Rugova duke përmendur si shumë të rëndësishme zjedhjet vendore të vitit të kaluar si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti”. Ai me këtë rast veçoi edhe miratimin e kornizës kushtetuese si një dokument të rëndëishëm kalimtar. Zoti Rugova tha se përparime janë shënuar edhe në planin ekonomik dhe atë të rindërtimit të Kosovës.

Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaci nëpërmjet një komunikate ka theksuar se “ndërhyrja e NATO-s dy vjetë më parë shënon kohën e gershetimit të synimeve të popullit të Kosovës me ato të botës së civilizuar për liri dhe demokraci. Ai me këtë rast u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës për punë, angazhim, tolerancë dhe bashkëpunim, në ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale”.

Ndërsa Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shprehu mirënjohjen e tij ndaj Aleancës Veriatlantike e cila tha ai i dha fund dhunës dhe gjenocidit në Kosovë. Ai shfrytëzoi rastin “për të falënderuar vendet e NATO-s dhe vendet tjera që iu bashkuan aleancës në atë që ishte ndërprerje e dhunës dhe gjenocidit mbi shqiptarët në Kosovë”. Sidoqoftë edhe dy vjet pas përfundimit të luftës, Kosovën vazhdojnë ta rëndojnë probleme ende të hapura e të mprehta siç janë çështja e qytetit të ndarë të Mitrovicës, ajo e të burgosurëve dhe të zhdukurve, si dhe gjendja ende e brishtë e sigurisë dhe e marrëdhënieve ndëretnike.

XS
SM
MD
LG