Lidhje

Intervistë me komandantin e UÇK-së - 2001-07-05


VOA- Zoti Ostreni, zyra e presidentit Trajkovsi e cilësoi armëpushimin e njoftuar sot si një hap të madh përpara, drejt zgjidhjes së konfliktit në Maqedoni. A jeni dakord me një cilësim të tillë. Si e shikoni ju këtë armëpushim? A është sot Maqedonia më afër paqes se sa ka qenë para këtij armëpushimi?

GO-Edhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare e vlerëson këtë armëpushim si një hap të madh përpara, drejt zgjidhjes politike të problemit. Ne cilësojmë se sa më tepër t’i afrohemi tryezës, aq më tepër do t’i largohemi dhunës, do t’i largohemi vuajtjeve të popullit në Maqedoni.

VOA-Zoti Osteni, kjo nuk është marrëveshja e parë për një armëpushim. Ka pasur marrëveshje të tilla përpara por jo në këtë nivel. Megjithatë ato janë shkelur, sipas maqedonasve janë shkelur nga pala juaj. Çfarë sigurimesh keni dhënë ju që do ta respektoni me të vërtetë këtë armëpushim?

GO- Ne në të gjithë armëpushimet e deritanishme, kemi qenë konsekuent në respektimin e tyre. Por armëpushimet gjithmonë duhet të kenë edhe një garanci, edhe një mbështetje siç e kanë pasur të bashkisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë personi reagon nëse i vihet në rrezik jeta personale. Në këtë rast ka garanci edhe nga bashkësia ndërkombëtare se do të ketë sukses armëpushimi.

VOA-Zoti Ostreni, të dy palet kanë nënshkruan marrëveshje ose dokumente paralele. A ka pasur ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë midis UÇK-se dhe zyrtarëve maqedonas deri tani?

GO- Jo nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me sa e njoh unë situatën.

VOA- Zoti Ostreni, në Maqedoni po vazhdon dialogu politik nën kujdestarinë e presidentit Trajkovski në praninë e dy të dërguarve; një amerikan dhe një evropian. Por në këto bisedime, në këtë dialog UÇK-ja nuk është përfshirë. A do ta pranoni ju marrëveshjen që mund të dalë nga ky proçes politik?

GO-Kjo është në kompetencat e përfaqësuesit tonë politik, zotit Ali Ahmeti. Do të duhet të bisedoni më të.

VOA- Zoti Ostreni, planet janë që në qoftë se arrihet një marrëveshje politike në Shkup, NATO-ja do të dërgojë të paktën 3 mije forca, synimi i të cilave do të jetë çarmatosja e UÇK-së. Si do të pritet ky plan sipas mendimit tuaj?

GO-Pas marrëveshjes politike duhet të pasojë edhe një marrëveshje ushtarake, e cila do të parashikojë në mënyrë të organizuar demilitarizimin dhe transformimin e Ushtrisë Çirimitare Kombëtare. Ky është qëndrimi ynë. Mendoj se në të gjitha vendet ku ka pasur raste të tilla, është vepruar në këtë mënyrë. Edhe ajo marrëveshje ushtarake, zbatohet sipas kohës dhe planit të parashikuar.

VOA-Sipas disa njoftimeve të ditëve të fundit, UÇK-ja ka hyrë në disa fshatra afër Shkupit, midis Shkupit dhe Tetovës , që banohen kryesisht nga maqedonas dhe i ka dëbuar ata. Nga maqedonasit ka pasur edhe akuza për spastrime nga ana juaj. A është e vërtetë kjo?

GO-Jo nuk është e vërtetë. Gjithë opinioni publik brenda dhe jashtë vendit është i informuar se ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare as nuk kanë vrarë dhe as nuk kanë bërë presion as psiqik e as ekonomik ndaj qytetarëve të pa-armatosur. Ajo është e dëmshme dhe ne nuk do ta bëjmë as edhe në të ardhmen.

VOA- Zoti Ostreni ju faleminderit!

XS
SM
MD
LG