Lidhje

Vëzhguesit e huaj për zgjedhjet në Shqipëri - 2001-07-11


Intervista me Robert Hand i Komisionit të Kongresit Amerikan për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, pas kthimit nga vëzhgimi i zgjedhjeve në Shqipëri

VOA: Në raportin e vëzhguesve të huaj thuhet se “zgjedhjet në Shqipëri shënuan një hap përpara drejt plotësimit të standarteve ndërkombëtare”. Ky duket si një formulim shumë i përgjithshëm, po çfarë nënkuptojnë vëzhguesit e huaj me këtë vlerësim?

B.H. Ky nuk është ende raporti përfundimtar. Raporti përfundimtar bëhet rreth një muaj pas gjithë procesit të zgjedhjeve. Kur vëzhguesit flasin për standarte ndërkombëtare, ata e kanë fjalën për Dokumentin e Kopenhagës që përmban standartet e OSBE-së që janë shumë të gjera, ndër to përfshihen sa e hapur ka qënë fushata, si është mbuluar nga shtypi, sa të paanshëm kanë qënë zyrtarët e zgjedhjeve etj. Kur vëzhguesit shkojnë për të ndjekur zgjedhjet diku, ata udhëzohen të bëjnë vlerësimin bazuar në këto standarte që vlejnë për të gjitha vendet. Po ashtu është e rëndësishme të thuhet se edhe në rast se një vend nuk i plotëson këto standarte, dhe mendoj se zgjedhjet në Shqipëri nuk i plotësuan këto standarte ashtu siç shpresohej, gjithsesi gjatë zgjedhjeve u vu re përmirësim. Krahasuar me zgjedhjet që janë zhvilluar në Shqipëri në të kaluarën, unë personalisht, por edhe OSBE-ja arriti në përfundimin se është bërë një farë përparimi, madje edhe krahasuar me zgjedhjet e tetorit, por në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet, sidomos pas raundit të dytë se standartet u plotësuan.

VOA: Sic e thatë edhe ju standertet ndërkombëtare janë shumë të gjera, kur vlerësoni zgjedhjet në Shqipëri me çfarë vendi e krahasoni ju Shqipërinë. Për shembull në se i krahasojmë zgjedhjet në Shqipëri me zgjedhjet në Amerikë, zgjedhjet në Shqipëri do të ishin të papranueshme. Pra si e bëni ju vlerësimin e zgjedhjeve në një vend të tillë si Shqipëria?

B.H. Zakonisht zgjedhjet analizohen në vetvete duke u krahasuar me standartet ndërkombëtare. Po ashtu është e përshtashme që ato të krahasohen me zgjedhjet në të kaluarën në të njejtin vend. Shqipëria ka zhvilluar shumë zgjedhje dhe një krahasim i tillë është i vlefshëm. Megjithëse edhe këtu duhet kujdes, pasi për shembull gjendja në Shqipëri në 2001 është plotësisht ndryshe nga 1997 dhe krahasimi në këtë rast përmban rreziqe, prandaj OSBE-ja tregohet e kujdesshme që t’i udhëzojë mirë vëzhguesit e huaj për ta patur të qartë dallimin. Po ashtu krahasimi i zgjedhjeve në një vend, me ato në një vend tjetër, nuk është praktikë e përshtatshme, pasi kjo mund të të çojë në uljen e standarteve. Pra vëzhguesit e huaj e shmangin një praktikë të tillë. Nga ana tjetër, vëzhguesit me përvojë arrijnë t’i dallojnë problemet kryesore si lista të pasakta votimesh dhe këto probleme janë pak a shumë të njejta edhe në rajone të tjera që po kalojnë përmes përvojës së zgjedhjeve të para shumë-partiake. Pra krahasimi kryesisht bëhet brenda vetë një vendi dhe me standartet e OSBE-së. Dhe gjykimi përfundimtar varet nga standartet e OSBE-së dhe jo nga zgjedhjet e së kaluarës.

VOA: Opozita në Shqipëri ka vënë si kusht përsëritjen e zgjedhjeve në rreth 30 zona për të pranuar rezultatin e tyre. Bazuar në vëzhgimet tuaja në Shqipëri, a është e justifikuar kjo kërkesë, ose a ka vend për përsëritjen e zgjedhjeve në zona të ndryshme?

B.H. Një vëzhgues i vetëm, siç jam unë, e ka të vështirë të bëjë një gjykim të tillë, aq më tepër që unë isha në Shqipëri vetëm gjatë raundit të parë. Por në përgjithësi OSBE-ja megjithëse mund të ketë qindra vëzhgues në një vend, nuk jep gjykime të tilla se ku duhet të përsëriten, ose në se duhet të përsëriten apo jo, se cilat ankesa janë të drejta e cilat jo. OSBE-ja do të raportojë për ato që ka parë dhe do t’u bëjë thirrje autoriteteve t’i shqyrtojnë seriozisht problemet që janë vënë re. Kjo do të thotë që në se ka ankesa për arregullsi, OSBE-ja do të vëzhgojë se si komisionet e zgjedhjeve, ose gjykatat do t’i trajtojnë këto ankesa; në se do të ketë një proces të drejtë dhe të paanshëm për zgjidhjen e tyre, ose për përsëritjen e tyre. Kjo është ajo që do të bëjë OSBE-ja tani, të raportojë ato që ka parë. Partitë nga ana e tyre do t’i drejtohen komisioneve dhe gjykatave me ankesat e tyre dhe OSBE-ja do të vazhdojë të jetë e pranishme për të parë në se këto ankesa do të hidhen poshtë për arësye politike, për mungesë provash, apo në se ato do të pranohen. Bazuar në gjithë këto OSBE-ja do të arrijë në përfundimin në se procesi i zgjidhjes së ankesave ka qënë i mirë apo jo. Ky është edhe një nga elementët kryesorë të procesit zgjedhor.

VOA: Komuniteti ndërkombëtar priste shumë nga këto zgjedhje në Shqipëri, që ato të tregonin se vendi ka hyrë në rrugën e stabilitetit dhe të demokracisë. A ka mbetur komuniteti ndërkombëtar i kënaqur, a u zhvilluan ato ashtu siç e priste ai?

B.H. Kjo mbetet për t’u parë. Mendoj se nga parregullsitë e vëna re në raundin e dytë, ka arësye për shqetësim. Në Shqipëri ka ende tension politik dhe përparimi që pamë me përgatitjen e zgjedhjeve, dhe pa dyshim që pati përparim, u vu në dyshim nga raundi i dytë. Ky raund tregoi se sa i brishtë është ky përparim, se gjerat mund të kthehen pas, siç ka ndodhur në Shqipëri edhe në të kaluarën. Pra egziston shqetësim se përparimi nuk do të rruhet. Nga ana tjetër duhet thënë se tani për tani ky është vetëm një shqetësim, pasi ende nuk kemi arritur në këtë përfundim, kjo do të shihet gjatë javëve të ardhshme. Komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar dhe pret nga Shqipëria që t’i kapërcejë problemet politike, pasi vendi ka aq shumë probleme të tjera për të zgjidhur, siç janë problemet reale të zhvillimit ekonomik, të korrupsionit të madh, Shqipëria është një vendet kryesore të trafikut të vajzave për prostitucion, është një vend tranzit drejt Evropës për vajzat nga Rumania dhe Moldavia. Këto janë probleme shumë serioze që Shqipëria duhet t’i zgjidhë.

VOA: Zoti Hand ju faleminderit.

XS
SM
MD
LG