Lidhje

Raport i Departamentit të Shtetit për trafikun e njerëzve - 2001-07-13


Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet se 23 vende të botës, përfshirë aleatë të Shteteve të Bashkuara si Izraeli, Greqia dhe Arabia Saudite, nuk po bëjnë sa duhet për të luftuar trafikun e njerëzve. Në raport përmendet edhe Shqipëria si një nga këto vende.

Ky është raporti i parë i përvitshëm i këtij lloji. Aty theksohet se çdo vit, mbi 700 mijë vetë kalohen përmes trafikut të paligjshëm nga një vend në tjetrin për të punuar pastaj nëpër fabrika dhe ferma në kushte tepër të vështira apo në industrinë e seksit. Rreth 50 mijë vijnë në Shtetet e Bashkuara ose përmes tyre kalojnë në destinacione të tjera. Randy Beers, ndihmës sekretar i shtetit për luftën ndërkombëtare kundër narkotikëve, thotë se raporti nuk synon t’i bëjë publicitet të keq ndonjë vendi.

“Raporti synon të ndërgjegjësojë njerëzit në botë dhe të bëjë që vendet e ndryshme të hyjnë në dialog për zgjidhjen e këtij problemi. Ai nuk ka synim për të vënë gishtin mbi ndonjë vend, megjithëse ky aspekt nuk mund të injorohet, por të shërbejë për fillimin e dialogut” tha zoti Beers.

Raporti botohet në bazë të një ligji të Kongresi. Ai i rendit vendet sipas angazhimit të tyre për të trajtuar këtë problem dhe për të mbrojtur viktimat. Vendet që renditen në kategorinë më të ulët do tu nënshtrohen sanksioneve amerikane, përshembull do tu ndalen ndihmat ose do tu mohohen kreditë e huaja, nëse nuk shënojnë përmirësime deri në vitin 2003. Margot Sullivan e Departamentit të Shtetit thotë se raporti nuk bën krahasime midis vendeve. Ai analizon se si vendet e ndryshme e trajtojnë këtë problem. “Nuk është çështja te përmasat e problemit në një vend të caktuar, por te gatishmëria e qeverisë për ta luftuar atë”, thotë zonja Sullivan. Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit Colin Powell tha se raporti synon të nxjerrë në pah atë që ai e quajti një turp për njerëzimin: “Është e paimagjinueshme që trafikimi i qenieve njerëzore vazhdon edhe në shekullin 21. Është e paimagjinueshme por e vërtetë”.

Sekretari Powell tha se administrata e presidentit Bush do të ngrejë një agjenci të posaçme për luftën kundër këtij trafiku.

XS
SM
MD
LG